Intervista/Ervin Salianji : Roli i Departamenteve(qeveria hije), thelbësor në vendimmarrjen e PD-së
Partia Demokratike nën kryesinë e Lulzim Bashës ka ndërmarrë një reformë strukturore, duke angazhuar figura të reja. Ervin Salianji është një nga figurat e reja në strukturat e vendimmarrjes së Partisë Demokratike. Ai është edhe një kandidatët për kreun e Forumit Rinor të Partisë Demokratike. I riu demokrat shpjegon se cila është arsyeja që ka bërë që ai të angazhohet akoma më shumë në forcën politike të djathtë.
Z. Salianji cili është formimi juaj dhe kur u përfshitë në strukturat e Partisë Demokratike?
Jam diplomuar në Fakultetin e Drejtesisë dhe aktualisht jam doktorant në jurisprudencë. Nuk mund ta piketoj me një datë të saktë momentin që jam përfshirë në Partinë Demokratike, sepse kam qenë pjesëtar i kësaj force që në fëmijëri. Familja ime ka qenë e angazhuar pranë Partisë Demokratike, prandaj mund te them se lidhja ime me Partinë Demokratike ishte si me një familje të dytë që kalonte përmes së parës. Unë u rrita pranë strukturave të kësaj partie, duke qenë pjesëmarrës në çdo miting e duke përjetuar me ankth emocionet e zgjedhjeve. Lidhja u bë kaq e fortë, saqë nuk kisha asnjë brengë pse kaloja pjesën dërrmuese të kohës i përshirë në aktivitet e kësaj force dhe jo me argëtimet që mosha lyp. Partia Demokratike për mua është pjesë e 'legjendës' së familjes.
Me kalimin e viteve, kur nisa të studioj rreth ideve politike, vura re që për fatin tim të mirë, instinkti nuk më kishte gënjyer. Jam i bindur që vetëm e djathta me idetë e saj dhe partitë popullore të djathta mund ta çojnë shoqërinë përpara.
Në riorganizmin e saj, Partia Demokratike ka sjellë strukturën e Departamenteve. Cili është roli i këtyre Departamenteve në lidhje me Partinë Demokratike?
Departamentet janë struktura të specializuara, që mbulojnë çdo fushë të jetës së vendit. Të 22 Departamentet janë organe të zgjedhura me votat e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Qëllimi i tyre është hartimi i platformave, organizimi i oponencës ndaj projektligjeve të mazhorancës, si dhe furnizimi me të dhëna e analiza, apo dhe të sugjerojnë qëndrime për çështje të caktuara. Ju në media shpesh i quani “qeveria hije”.
Ju keni qenë i pëfshirë në Departamentin e të Drejtave Të Njeriut dhe Lirive Themelore. Mund të na shpjegoni veprimtarinë, si edhe angazhimin tuaj në këtë Departament?
Angazhimi në Departamentin e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore erdhi pas votëbesimit që mora si anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Kryetari i partisë z. Lulzim Basha më propozoi për të drejtuar këtë Departament dhe Këshilli Kombëtar më votoi. Në Departamentin e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut kemi pasur punë dhe angazhim të madh për shkak të keqqeverisjes dhe për pasojë të shkeljes së të drejtave dhe lirive të qytetarëvë shqiptarë. Kemi përshkruar çdo cep të Shqipërisë (çdo qytet dhe fshat), duke ndihmuar qytetarët që denonconin publikisht shkeljet e duke iu dhënë edhe konsulencë ligjore për të fituar të drejtat në gjykatë.
Departamenti i të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore ka pasur një dinamizëm të madh me aktivitetin e lartë publik, duke bërë që të jemi të pranishëm në çdo skaj të territorit të Republikës së Shqipërisë, aty ku ka pasur probleme, aty ku ka pasur dhumin të të drejtave të njeriut.
Gjithashtu, jemi përpjekur në përputhje me statutin e Partisë Demokratike të japim ekspertizën e domosdoshme dhe të nevojshme për çdo projektligj që kalohet në Parlament nga ana e qeverisë. Kjo me qëllim për të bërë të mundur qëndrimin politk të Partisë Demokratike, ku së bashku me grupin parlamentar dhe kryesinë e Partisë Demokratike të dalim në një qëndrim të përbashkët në lidhje me çëshjet që merrnim në shqyrtim.
Çfarë mund të na thoni për bashkëpunimin dhe shkëmbimin e ideve që keni brenda Partisë Demokratike për sa i përket strategjive të ndryshme politike?
Çdo javë Departamentet e Partisë Demokratike mblidhen dhe diskutojnë në lidhje me projektligjet dhe projektvendimet që sjell qeveria për të kaluar në Parlamet. Qëndrimi politik i Partisë Demokratike vjen pas një ndërthurjeje idesh, debatesh kontruktive dhe propozimesh të alternativave të ndryshme duke arritur pastaj në formësimin e një opinioni. Më saktë ky qëndrim politik vjen duke marrë ekspertizën e Departamenteve, qëllimin politik të kryesisë dhe grupit parlamentar, apo edhe përvojën e ekspertëve më të mirë të fushës për çdo çështje. Në Departamentin e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore janë pjesë ekspertë të fushave më të njohura, që kanë të bëjnë me drejtësinë, me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, minorenët etj.
Një nga betejat e fituara nga Departamenti i të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore është edhe “çështja e IME-it”? Mund të na flisni pak për këtë?
Çështja e IME-it nuk është një çështje vetëm e Departamenit të të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, por është një çështje që e ka ngritur si shqetësim kryetari i opozitës z.Basha dhe është çuar në Gjykatën Kushtetuese nga një grup deputetësh. Prandaj çështja e IME-it nuk është një çëshje e fituar nga Departamenti i të Drejtave të Njeriut, por nga e gjithë Partia Demokratike së bashku me të gjithë faktorët e shoqërisë civile, të cilët reaguan fuqishëm për sa i përket privatësisë.
Ndër betejat më të rëndësishme kanë qenë ajo që lidhet me të drejtat dhe mirëqënien e komunitetit rom, si dhe dhënia e porpozimeve për ndarjen në këste të pagesës së energjisë elektrike për shtresat vulnerabël (kërkesë e cila nuk u pranua e plotë nga qeveria). Ndërkaq, ne si Departament i të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, kemi denoncuar mjaft raste të prishjes së ndërtimeve me leje apo pa procedura si edhe cenimin e të drejtave të shtresave në nevojë. Por gjithmonë duke u përpjekur me të gjitha mundësitë për t'u dhënë zgjidhje.
Add new comment