Goditja e PD për Frangajn, “hakmarrje” për afrimin me Ramën apo axhendë personale e Bashës?

Postuar në 29 Tetor, 2015 21:54

Në media ka marrë së fundmi vëmendje një debat që lindi pas një konference për shtyp të Partisë Demokratike për një ndërtim në Golem, pas të cilit sipas opozitës që qëndron Aleksandër Frangaj.Duhet thënë se denoncimi nga foltorja e Partisë Demokratike i një aktiviteti privat të Aleksandër Frangajt, aq më tepër të miratuar në kohën e qeverisë Berisha  krijoi jo pak habi në rrethet mediatike dhe ato politike.

Mero Baze në një analizë në gazetën Tema e sheh përplasjen me Partisë Demokratike dhe pronarit të TV Klan si një përpjekje të Berishës për të mos lejuar Frangajn të kthehet në shërbëtor të Edi Ramës për favore që sipas Bazes, Frangaj i ka marrë nga Sali Berisha.

Kjo analizë nuk merr parasysh disa fakte që i japin një tjetër shpjegim kësaj përplasje. Armiqësia e Lulzim Bashës me televizionin Klan vjen nga një marrëdhënie që lidhet me detyrën e Lulzim Bashës si kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Tv Klan e mbështeti zgjedhjen e tij në krye të bashkisë dhe Basha për një periudhë kohe ishte i privilegjuar në ekranin e Tv Klan, por nga fundi i mandatit gjërat nisën të ndryshojnë.  Tv Klan denoncoi me forcë një premtim të pambajtur të Lulzim Bashës në vitin 2011 për të mos lejuar ndërtimin poshtë digës së liqenit artificial.

Një kompleks me pesë objekte 17-katëshe dhe 3 kate nën tokë që mori lejen e Bashkisë së Tiranës në 1 gusht të vitit 2014 për të realizuar projektin. Ky projekt u fol se binte ndesh me interesat e zotit Frangaj si ndërtues ndaj dhe kjo shpalli edhe luftën e hapur të tij me Lulzim Bashën.

Nga kjo periudhë marrëdhëniet e Lulzim Bashës me televizionin Klan ishin armiqësore me disa kronika që evidentonin katrahurën në rrugët e Tiranës, një përplasje që edhe vetë Mero Baze e pati konstatuar në atë kohë.https://www.youtube.com/watch?v=E_12EesxX-c, http://www.gazetatema.net/web/2014/10/10/tv-klan-sulmon-ashper-bashkine-e-tiranes-a-eshte-ky-konfirmim-i-ftohjes-frangaj-basha/

Marrëdhëniet e ndera mes Lulzim Bashës dhe Aleksandër Frangajt duket se nuk kanë të bëjnë me një deal mes Bashës e Berishës për të frenuar kalimin e tij në prehrin e Ramës, por me një axhendë personale të kryetarit aktual të Partisë Demokratike për të ridemensionuar marrëdhëniet me këtë televizion apo pronarin e saj. 

Me këtë lëvizje Lulzim Basha po tregon se është ai që vendos se kush dhe për çfarë do të dalë në foltoret e Partisë Demokratike dhe për këtë Berisha duket se nuk ka dashur të ndërhyjë.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.