Qeveria shkel ligjin, Lati: S’na pyetën rreth vendimit mbi koncesionin për portin e karburanteve
Qeveria shkeli ligjin duke e anashkaluar Autoritetin e Konkurrencës nga koncesioni për portin e ri të karburanteve në Porto Romano. Në një prononcim për “Top Channel” kryetarja e këtij institucioni, Lindita Lati, tha se Autoriteti nuk u vu fare në dijeni për koncesionin por u njoh me të rastësisht në faqen zyrtare të Parlamentit kur kontrata gati ishte mbyllur. “Aty ne pamë ligjin që ishte në radhë për të kaluar që i jep të drejtë ekskluzive në Porto Romano. Dhe pikërisht në momentin kur komisioni e mori në shqyrtim analizën e vlerësimin e këtij akti nga sekretariati, komisioni vuri re që ishte një procedurë tepër e vonuar, sepse ne nuk ishim bërë me dije në kohën e duhur dhe ky ligj ishte votuar në Parlamentin e Shqipërisë”, tha Lati.
Pas vitit 2010 Shqipëria ka koncesionuar në seri një sërë të drejtash dhe shërbimesh eskluzive nga publiku tek privatët, të cilat shpesh kanë qenë objekt i fortë debati duke ngritur dyshime nëse i kanë shërbyer interesit publik.
Ndërkohë lLigji e detyron qeverinë apo çdo institucion tjetër publik që përpara se të transferojë koncesione eskluzive të marrë vlerësimin zyrtar të Autoritetit. Detyrimi u vendos në vitin 2010 sipas direktivave të BE-së për dy qëllime. Së pari, për të mos lejuar deformimin e tregut dhe së dyti për të vendosur një hallkë parandaluese për koncesionet korruptive.
Add new comment