Deputetët e PS-së kundër qeverisë: jo burg kur s’jep kuponin tatimor
Kuvendi nuk ka miratuar propozimin e qeverisë për ndryshimin e Kodit Penal, që parashikonte dënimin deri në tre vjet burg për bizneset që nuk regjistrohen, apo që nuk lëshojnë kupon tatimor. Deputetët e maxhorancës e kanë quajtur si masë shumë të rëndë që të dënohen me burgim bizneset për moslëshim të kuponit, duke kërkuar që kjo masë të ishte administrative e më pas penale. Relatorja e projektligjit, Vasilika Hysi, ka theksuar se në nenin 13 të ndryshimeve në Kodin Penal, moslëshimi i kuponit tatimor është vepër administrative dhe më pas penale. Sipas Hysit, në ligj duhet të përfshihen edhe rastet e dënimeve me gjoba, kur bëhet fjalë për shifra të vogla parash. Po ashtu, deputetja e PS-së tha se problematikë që nuk zgjidhej në ligj ishte edhe përcaktimi i dënimit, pra në rastin e moslëshimit të kuponit tatimor do të dënohej punonjësi apo administratori i biznesit. Propozimi i Hysit u mbështet dhe nga deputetët e majtë, Pandeli Majko dhe Petrit Vasili, të cilët kanë kërkuar që neni të riformulohet në mënyrë që të mos ngarkohen me përgjegjësi penale personat e gabuar. Majko kërkoi që të negociohet me qeverinë për këtë pikë, ndërkohë që edhe kreu i Komisionit, Fatmir Xhafaj, tha se qeveria duhet t’i riformulojë nenet pasi janë rënduese për biznesin. Edhe ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj, ka bërë një tërheqje të butë, duke thënë se propozimi i Hysit ka qenë i parashikuar edhe nga qeveria, por është bërë gabim në zbardhjen e draftit përfundimtar.
Add new comment