Jaguarët, vetëm maja e ajsbergut

Postuar në 26 Tetor, 2015 21:40

Kushdo që është ndodhur para zgjedhjes “Blerje e një makine të re, apo marrje me qera afatgjatë e saj”, e di se alternativa e parë është më pak e kushtueshme (por që i do paratë në dorë). Në sagën e re të qiramarrjes afatgjatë të makinave Jaguar nga qeveria shqiptare, është e qartë se kostoja do të ishte më e ulët në qoftë se ato do të bliheshin, por paratë do të duhej të paguheshin në dorë.

Sidoqoftë, përpara se qeveria shqiptare ta vinte veten përpara kësaj zgjedhjeje, duhej të bënte pyetjen nëse duhej t’i shiste veturat që ka aktualisht dhe, më pas, nëse do t'i duhej të blinte Jaguarë, apo Fiat 500L -- që Papa Françesku përdor zakonisht (një të tillë, p.sh., ai e përdori gjatë vizitës së fundit në SHBA).

Dhe për të shkuar përtej zgjedhjes së makinave qeveritare (që përbëjnë një të njëmijtën e të qindave të shpenzimeve buxhetore), pyetja madhore është se sa duhet të kursejë qeveria, kur u kërkon qytetarëve (me forcë) që të paguajnë taksat një më një.

Konsensusi i studimeve të ndryshme në SHBA është se, me rreth 95% të shpenzime që kryen qeveria federale, mund të ofrojë të njëjtat shërbime/investime që ofron aktualisht.  Në Shqipëri, as janë bërë e as ka mundësi të bëhen studime të tilla, por me një deduksion të thjeshtë (me fjalë të tjera, me rregull treshi), mund të llogaritet se të njëjtat shërbime/investime që ofron qevera, mund të ofrohen me një kosto të paktën 10% më të ulët se ç’i ofron aktualisht.

Në qeveritë Meta e Nano, kjo përqindje mund të ketë qenë 11%, e në qeverinë Berisha 9% (apo anasjelltas), por problemi ka mbetur i njëjtë – qeveritë shqiptare harxhojnë goxha më tepër se ç’realisht ofrojnë (10% e shpenzimeve buxhetore janë rreth 400 milionë dollarë).

E pra, kur qeveria nxitet me të drejtë nga FMN-ja që t’i rrisë të ardhurat buxhetore mbi 27% të PBB-së (siç pritet që të realizohen këtë vit), ajo duhet të mendojë sesi t’i qethë tepricat buxhetore të panevojshme (për të mos thënë korruptive), në mënyrë që shpenzimet të mos e kalojnë kufirin 27% të PBB-së (mbi të cilin do të kishim një deficit të ri).

Përndryshe, do të kthehemi në vitet kur e shtonim borxhin publik me 5% të PBB-së në vit, e shumë shpejt, nga niveli 71% i PBB-së (në të cilin jemi sot), do të arrinim në një borxh publik sa 100% e PBB-së…

E.Zaloshnja

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.