Donald Trump: “Ishim më mirë me Gadafin dhe Sadamin” dhe godet Hillarin
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/trumm.jpg?itok=rKg7RlMB)
Kontroversial dhe shpeshherë i nënvlerësuar për shkak të deklaratave të cilësuara edhe “idioteske”, garuesi republikan për presidencën 2016 Donald Trump megjithatë bën disa pohime që të tjerët i përshpërisin. Më e fundit është deklarata se bota do të ishte një vend më i mirë, nëse diktatorët si Saddam Husseini i Irakut dhe Moammar Gadafi i Libisë do të ishin ende në pushtet. Deklarata e djeshme u bë gjatë një interviste në CNN, ku Trump duke e quajtur Irakun “Harvardi i terrorizmit”, tha se ky vend është shndërruar në një “fushë stërvitjeje për terroristët”.
“Njerëzve po u pritet koka, të tjerë po mbyten. Tani gjendja është shumë më e rëndë se sa kur në pushtet ishin Saddam Hussein, apo Gadafi”. Trump nuk harroi të theksojë se gjendja në Lindjen e Mesme “shpërtheu” në periudhën kur President ishte Barak Obama dhe sekretare shteti ishte Hillary Clinton, rivalja e tij kryesore në garën për Shtëpinë e Bardhë. Por nga ana tjetër kritikoi vendimin për pushtimin e Irakut nga ish presidenti Bush në vitin 2003, të bazuar tek njoftime të gabuara të zbulimit, se vendi dispononte armë të shkatërrimit në masë. Gjithsesi, shënjestrat konkrete të kësaj kritike të fortë janë demokratët, duke qenë se presidenca Bush tashmë është veç një kujtim i hidhur.
Trump kryeson garën republikane për zgjedhjet presidenciale.
Add new comment