Pazari i Bllokut dhe letra(pa vlerë) e KLSH-së
Takimi i sotshëm mes drejtuesve të koalicionit qeverisës ka përmbyllur edhe raundin e dytë të tensioneve mes tyre që pas vitit 2013. Raundi i parë, kur u hap çështja “Doshi” ishte disi më i përciptë, sa kohë kaloi si testim politik me një akuzë shumë të pabesueshme. Raundi i dytë, afera CEZ, ishte serioz për Ilir Metën, kreun e LSI-së, i cili kësaj radhe vuri në lëvizje disa mjete për të mbrojtur veten. Dhe me sa duket i eci. Mjaftoi zgjerimi i objektit hetimor të kërkuar nga opozita për CEZ, hapja e hetimeve nga Prokuroria për elementë që lidhen më këtë aferë dhe sidomos kallëzimi penal i Kontrollit të Lartë të Shtetit për Damian Gjiknurin, që Ilir Meta të arrijë t’i bëjë, siç tha sot i paqeshuri ndonjëherë, Gramoz Ruçi: “Të gjithë të qeshur e të lumtur”. Lajmet pa vlerë flasin për krijimin e një njësie të koordinimit të koalicionit, që me këtë akt provon se nuk ka funksionuar mirë, si dhe për një klimë shumë të mirë në takim. Sigurisht, shqiptarët do ta kenë të paqartë të kuptojnë deri në fund se çfarë e bëri kryeministrin e heshtjes verore që të qeshë e të rrahë edhe njëherë shpatullat e Ilir Metës. Dje në “Opinion” ai deklaroi se “në arbitrazh për CEZ-in ne mund të humbisnim miliarda”, duke nënkuptuar se disa qindra milionë edhe mund të jenë falur. Po si janë falur? Nëse çdo gjë është ndjekur në zbatim të ligjit dhe interesave të shtetit, nuk kishte pse qeveria dhe kryeministri t’i trembej një kallëzimi të KLSH-së. Me sa duket Ilir Meta ka ditur të jetë shumë bindës kësaj radhe. Tani që punët erdhën në këtë pikë fiton me të vërtetë rëndësi fakti se çfarë do të bëjë Prokuroria me kallëzimin e KLSH-së për Damian Gjiknurin dhe Avokatin e Shtetit. Sepse këtu bëhet fjalë për veprimin institucional në kontekstin kur politika po flet për reformë në drejtësi, pra kur presupozohet se ka vullnet për të ndryshuar situatën. Por duke patur parasysh atë që ka ndodhur rëndom deri më tani, punët nuk duken mirë. Një sinjal u dha nga Ilir Meta, i cili deklaroi sot se “letra e KLSH-së nuk më ka ardhur akoma”. Ironike, po të mendosh se KLSH-ja ndodhet në një godinë me zyrën e Metës. Duhet nënvizuar se me varrosjen e aferës CEZ-Gjiknuri, fiton edhe opozita, një segment i saj. Ish-Kryeministri Sali Berisha ndryshoi kursin e akuzës sapo në skenë nisën të dalin fjalët për kompani të tjera që mblidhnin borxhe. Dhe nuk do shumë mend për të kuptuar se përse.
A do të veprojë pra prokuroria dhe Gjykata për kallëzimin e CEZ? KJo është pyetja kryesore, pasi në fund institucionet mbeten? Përgjigja më e mundshme është “jo”. Jo, sepse ne kemi një sistem të tredhur dhe të kapur që pranohet si i tillë nga vetë politika.
Brenda suazës së koalicionit një gjë e sigurtë është shfaqur deri më tani si pjesë e përfunduar e pazarit të mbyllur në një villë në ish-Bllok. Sistemi zgjedhor nuk ndryshon. Kjo u pohua nga kryeministri dje në “Opinion” që i ka dhënë kështu LSI-së, por edhe partisë së tij që po drejton një qeverisje të dështuar, shansin dhe garancinë për vitin 2017. Një vit kur episodi i dytë: “Rilindja Vazhdon” do të shërbehet si alternativa më e mirë. Ndoshta me Ilir Metën kryeministër e me ndonjë socialist në Presidencë, karrige që tashmë janë hipotekuar nga vetëm 3-4 vetë në këtë vend. Të shpresojmë se deri atëherë nuk do të kenë ikur 60% e shqiptarëve.
Add new comment