Ky është ambasadori shëtitës. Shfaqet Hoffman me sugjerime për ekonominë
Është ndoshta ambasadori më aktiv, kur mesa duket ka konstatuar se në Shqipëri të hapet çdo derë, mjafton të jesh i huaj dhe aq më tepër kur vjen nga një vend si Gjermania. Është fjala për ambasadorin gjerman Hoffman që po “jep mend” për çdo sfidë që ka qeveria që nga hapja e dosjeve deri tek ulja e kredive të këqija bankare.
Së fundmi u fut edhe në zyrën e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë duke dhënë propozime kësaj radhe për çështje të karakterit ekonomik që sipas tij duhet t’i vlejnë qeverisë. Foli me Sejkon për perspektivat e bashkëpunimit ekonomik për aq sa të dy kanë në dorë dhe siç njofton Banka e Shqipërisë Hoffman ofroi një këndvështrim orgjinal mbi modelin ekonomik ku duhet të mbështetet Shqipëria, kësaj rradhe me nota kritike për qeverinë, e cila së fundmi po negocion heqjen e ekskluzivitetit të aeroportit të Rinasit që menaxhohet që prej vitit 2004 nga gjermanët.
“Duke u ndalur tek zhvillimet ekonomike në vend, Ambasadori Hoffmann u shpreh se institucionet publike në vend duhet të marrin masat e duhura për të nxitur rritjen ekonomike të vendit. Ai theksoi se qeveria duhet të investojë në sektorë, veprimtaria e të cilëve do të ndikonin në rritje ekonomike jo vetëm në periudhë afatshkurtër, por edhe afatgjatë. Në këtë drejtim, duhet rritur aftësia prodhuese, pasi ekonomia shqiptare nuk mund të mbështetet më tek të ardhurat nga emigrantët dhe tek shërbimet. Më tej, Ambasadori Hoffmann theksoi rëndësinë e reformës në sistemin gjyqësor për përmirësimin e kuadrit ligjor, duke krijuar kështu kushte më të mira për të sjellë më shumë investitorë të huaj në Shqipëri”
Me një fjali Banka thotë se gjatë takimit, u diskutua dhe mbi reformat strukturore të ndërmarra së fundmi nga qeveria në drejtim të formalizimit të ekonomisë. Ndërsa në përfundim bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim mbi perspektivat për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve dhe kryesisht në fushën e sistemit financiar, si dhe në rritjen e investimeve të huaja gjermane në Shqipëri.
Add new comment