Eduart Ndocaj vjen në parlament pas refuzimit të Dedës. PS ia huazon PDK-së “kaubojsin” e Lezhës
Eduard Ndocaj, personazhi kontravers i listës së Partisë Socialiste në Qarkun e Lezhës me shumë gjasë do të jetë ai që do të zëvendësojë Arben Ndokën në parlament. Kjo pasi, Ndrec Deda, të cilit I takonte mandate pas largimit të Ndokës ka deklaruar se do t’I kërkojë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve dorëheqjen nga lista për shkak se tani ai ushtron mandatin e kryetarit të bashkisë së Mirditës të fituar në 21 Qershor. I pyetur nga Gazeta “Shqip” ai është shprehur se populli e ka votuar si kryebashkiak dhe se ai është i vendosur të vazhdojë këtë detyrë. “ Unë kam paraqitur aktin e dorëheqjes nga lista e deputetëve, por ajo do të bëhet publike vetëm të hënën nga KQZ. Unë do të vazhdoj të mbaj detyrën e kryetarit të bashkisë pasi për këtë jam votuar në 21 Qershor, për të përmbushur detyrimet për të cilat jam votuar”-theksoi Deda.
Kjo dorëheqje e tij nga lista i hap rrugë kandidatit të radhës që është Eduard Ndocaj. Por për të mos e patur në radhët e saj, Partia Socialiste ka kryer një manovër të fundit, duke e kaluar Ndocajn si deputet të Partisë Demokrastiane të Nard Ndokës. Ky i fundit e ka konfirmuar këtë fakt për gazetën “Shqip”, duke zbardhur edhe negociatat për këtë çështje me kreun e grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi. “Është e vërtetë që ka patur një takim. Zoti Eduard Ndocaj është njëherësh nënkryetrar i PDK-së, parti për të cilën ka bërë fushatë dhe ka mbështetur aktivitetet politike, edhe pse është regjistruar si deputet i PS-së. Ai do të përfaqësojë në kuvend pikërisht elektoratin e PDK-së. Kemi patur një takim me Ruçin ku dhe kemi rënë dakord në lidhje me zbatimin e Kodit Zgjedhor, kështu që mandati deputetit do t’I kalojë zotit Ndocaj”-thekson Ndoka.
Eduard Ndocaj nuk është një personazh i panjohur. Ai fitoi vëmendje publike kur deklaroi se bashkë me vëllezërit e tij I kishin paguar një drekë 8 mijë euro në Milano Edi Ramës dhe deputetëve Taulant Balla, Blendi Klosi, Artan Gaçi dhe Arben Ahmetaj. Por zëra pranë Partisë Socialiste e mohuan një gjë të tillë, madje dhe faktin që ai të ketë qenë propozim i PS për listën e deputetëve. Gjithsesi Ndocaj nuk I ka kursyer kritikat për Edi Ramën. “Koha ikën, por faktet mbeten fakte. Njeriu më i ligë për ne veriorët pas atij që shkel amanetin është bukëshkali, ai që i hanë bukën dikujt dhe pastaj e pret në besë pas shpine. Kjo mund të thuhet për Ramën dhe drejtuesit kryesorë të PS”-shkruan Ndreca në një prej postimeve të tij.
Add new comment