Edi Rama dhe të Rejat që mungojnë

Postuar në 24 Tetor, 2015 10:02
Artur Zheji

Në intervistën më të fundit të Ramës, apo në bashkëbisedimin maratonë të paradoditshëm me Fevziun, u fol për shumëçka, duke kënaqur shumëkënd dhe duke siguruar njëkohësisht informacion dhe argëtim. Mirëpo, ajo që bie në sy, është energjia e skajshme që Kryeministri konsumon, në “mbrojtje” të qeverisë së vet, kavërdisur kjo, me shumë e shumë batuta të këndshme, ndërkohë që ministrat dhe krejt operatorët e pushtetit qeveritar qëndrojnë prej shumë kohe në hije.

Një hije komunikative e patolerueshme, ndërkohë që rendimentet e tyre, në rezultate, janë ose të pambërritura, ose dështime, ose krejt të diskutueshme.

Duket qartë dhe nga shumë e shumë elementë, që makineria qeverisëse nuk po del dot nga ngërçi, ose e thënë më butë, nuk po arrin dot përmbushjen e objektivave të paravendosura. Ende mbas dy vitesh, qeverisja ngjan si një traktor që në vend që të lërojë tokën, ka ngelur vetë, në brazdën e kënetës së realitetit shqiptar.

Kjo është vërtet e dhimbshme, sepse pritshmëria e paradokohshme ishte dhe është akoma mjaft e madhe, madje edhe rezultatet e zgjedhjeve më të fundit dhanë përsëri një mbështetje të fuqishme për këtë Shumicë.

“Këto dy vite qeverisjeje, janë vetëm 2 minuta”, për të nxjerrë Shqipërinë nga ferri ku e gjetëm, ishte një nga sintezat analitike, tanimë të ripërsëritura, të Ramës. “Mospasja e shkopit magjik” është kësokohe, një tjetër justifikim që Kryeministri na e kujton shpesh.

Ky edhe mund të jetë një argument që shqiptarët, që votuan “pro” edhe pak muaj më parë, e besojnë akoma. Janë padyshim në të drejtën e tyre. Është gjithashtu një argument, realizmi i të cilit, buron nga kontradikta e ashpër që tendoset, ndërmjet fjalës “romantike” elektorale dhe mundësisë që “fjalët” të kthehen në vepra.

Mirëpo, sërish këtu jemi në takticizëm. Dhe takticizmi politik është i ndërtuar kështu: “Romantikë dhe eufori, premtime të hedhura lehtësisht ndër fushata dhe më pas, mbrojtje taktike dhe argumente justifikuese gjatë qeverisjes…”

Mirëpo edhe këtu, jemi sërish në mungesë të plotë të të Rejave.

Të Reja, si për shembull, ku janë dhe Përse nuk janë të pranishme investimet e mëdha në Shqipëri, të kompanive të rëndësishme dhe me buxhete të mëdha? Kompani turistike, kompani serioze të nxjerrjes së burimeve ende të fshehura energjetike dhe nëntokësore shqiptare.

Të Reja si për shembull, Projektet e Mëdha infrastrukturore dhe sidomos Prodhuese, të cilat, të japin trendin se: Me çfarë do të ecë Përpara, Shqipëria në dekadat e ardhshme?!

Si do të mundet pra Shqipëria, në xhunglën e egër të konkurrencës rajonale, të ketë individualitetin e saj ekzistencial, si profil ekonomik dhe prodhues, e të mundet pra, të konkurrojë në Turizëm, në Bujqësi, në Aftësinë e saj, për të shfrytëzuar pa u grabitur dhe pa u shpërdoruar, resurset e veta, qofshin këto pasuri natyrore, apo resurse njerëzore?

Në diskutimet dhe debatet tona televizive, një bisedë e ndërtuar mbi këtë platformë substanciale, do të ishte ndoshta një debat që konsiderohet me audiencë të ulët. Dhe ky është një argument, ndonëse komercial.

Por Kryeministri, nëse kënaqet me punën, gjithsesi fisnike, të rrobaqepësit, të rrobaqepësit retorik në këtë rast, që qep apo arnon, pikat e dobëta apo xhaketat e shqepura të ministrave, do të thotë se ai, nuk ka në tryezën e tij të punës, të Reja të rëndësishme, që lidhen me vizione të qenësishme për të Ardhmen Reale dhe Zhvillimore të Vendit. Në 120 minuta e kusur bashkëbisedim, ndonëse u kënaqëm, nuk dëgjuam dot, asgjë nga këto.

Dhe ky është realisht një Problem. Një Problem që nuk del pra, as në debatet televizive dhe as në debatet parlamentare. Një Problem serioz dhe i fshehur nëpërmjet Zhurmës së grindjeve të përhershme. Të një vendi si Shqipëria, që tanimë është mësuar të ushqehet me trysninë dhe emocionet politike, si me një ushqim të përditshëm dhe si me një drogë të përditshme.

Dhe pra, opinioni ynë publik, është bërë tashmë i mvarur ndaj kësaj droge emotive, dhe lyp nga shefi politik i radhës, këtë ushqim pikant dhe të ndezur retorik, si një pjesë të menysë së vet shpirtërore. Dhe gazetarët apo opinionistët, ku unë nuk bëj pjesë, vrapojnë logjikisht edhe ata, si është dhe moda e sotme shqiptare, të gatuajnë emocione të forta, si në një spektakël, për t’iu përshtatur këtyre shijeve të konsumatorit.

Ata mirë bëjnë. Po Kryeministri?

Nëse besojmë kryeministrin, të cilët shqiptarët simbas zgjedhjeve dhe numrave e statistikave, e besojnë në shumicë të tyre, se në këto “2 minuta”, qeverisjeje 2- vjeçare, procesi qeverisës është ende një proces i “Mbylljeje së Gropave” të trashëguara, gjë që, në një mënyrë të ndryshme e thoshte edhe Berisha për së paku 4 vitet e para të qeverisjes së vet, atëherë, në këtë trend, edhe një tjetër kryeministër pasardhës, do të ishte shumë komod, të harxhonte edhe ay, në retorikën e tij, 4 vite e veta në punë xheniere gropëmbushëse, apo në rrobëqepje, të vrimave apo shqepjeve të xhaketave të ministrave të vet.

E në ndërkohë, Ne, Populli, do të ushqeheshim vit mbas viti, me lajmet që nuk vijnë nga të Rejat e Mëdha, që më kot priten të vinë, nga Askund i ku janë nisur.

Ja pse ende, shqiptarët më së shumti, ëndërrojnë të largohen nga Shqipëria. Nëse do të mundeshin dhe nëse do të ishin të sigurt, që diku gjetkë do të t’ia dilnin të konkurronin.

Gjithsesi, kemi edhe “2 minuta” shtesë, e pra edhe 2 vite të tjera të qeverisjes Rama, ku Shqipëria, simbas Kryeministrit, është si një Paciente, në sallën e operacionit dhe, Kryekirurgu Kryeministër, nuk e ka përfunduar ende Operacionin e tij. Nga i cili Operacion, Kryeministri premtoi sërish se do ta ngrejë në këmbë Pacienten-Shqipëri, që deri para “2 minutash apo para 2 vitesh” ishte e pashpresë ose në të vdekur e sipër.

Për të mirën e të gjithëve, do të donim që Kryekirurgu, të mos e vdiste Pacienten dhe ta “qepte” në mënyrë të shëndetshme, e madje ta ngrinte në këmbë.

Por, që të mbërrihej një gjë e tillë, me modesti mendoj, që ay, Kryeministri apo Kryekirurgu, nuk duhet të bjerrë kaq shumë kohë në qepjen e të shqepurave të ministrave të vet, që nuk janë të pazëvendësueshëm. Dhe kjo, jo pse e thotë Opozita në listën e akuzave të veta, apo është dekriptim i tezës së “Impulseve të reja” të Metës.

Aspak.

Por sepse, koha dhe energjia e kryeministrit të një vendi, është e pazëvendësueshme dhe e vyer, aq më tepër kur ky vend, është “një Pacient në sallë të operacionit”. Dhe do të ish fatale që asistentët-ministra, që nuk dinë se ku është zemra apo mëlçia, apo veshkat e të sëmurit, të kërkojnë 24 orë në 24 orë, asistencën e Ramës, si dhe thuhet që edhe ndodh, edhe në këtë qeverisje.

Po Rama e di vetë më mirë se ku i pikon Çatia.

Pikërisht tek Gjërat e Reja që mungojnë. Dhe askush nuk ka përse të gëzohet për këtë, as edhe kundërshtarët politikë, që nuk se kanë paraqitur edhe ata ndonjë Platformë Alternative në lidhje me të Rejat që folëm më lart. Përveç akuzave dhe dëshirës së madhe për të rrëzuar qeverinë dhe për të hypur në Kalin e saj.

 

Artur Zheji

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.