Teatri me pronarët dhe paralajmërimi për tensione sociale nga “përfaqësuesi i unitetit të kombit”
Bujar Nishani, president i Republikës ka zhvilluar sot një takim, “të gjerë dhe konsultues” me përfaqësues të pronarëve. Të cilët siç njoftohet në faqen zyrtare të Presidencës, përfaqësojnë shoqata që shtrihen “nga Konispoli në Shkodër”. Takimi është iniciuar nga presidenti, i cili kujdeset kështu – ndonëse jo me dekorata kësaj radhe – për pronarët që kërkojnë pronën. Por çfarë thuhet në njoftim? “Të pranishmit, pasi falënderuan Kreun e Shtetit për pritjen, por sidomos për interesin dhe vëmendjen që po i kushton si përfaqësues i unitetit të kombit, shprehën mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të Presidentit Nishani ndaj përpjekjeve të tyre për zgjidhjen e këtij problemi të rëndë ekonomik dhe shoqëror, që ka hapur dhe vazhdon të hapë konflikte të thella”. Bujar Nishaninka qenë ministër Drejtësie në një kohë kur këto lloj konfliktesh arritën absurdin me Agjencinë e Kthimit të Pronave që bënte çudira. Po kështu Bujar Nishani vjen nga një parti që në rastin më të mirë u tall me çështjen e pronës dhe me pronarët, kurse në rastin më të keq e shfrytëzoi atë për të krijuar pronarët që donte. Në ndryshim nga qeveria e tanishme që me ligjin e ri po kërkon t’i heqë qafe. Dhe të vihet re se në këtë kontekst Bujar Nishani, që brenda kostumit institucional të vendimmarrjes peshon më shumë sesa Presidenti, kërkon të vëjë në dukje se ai është “përfaqësues i unitetit të kombit”. Kjo shaka mund të kursehej pasi rrezikon ta çojë në 85% shifrën e njerëzve që duan të ikin nga Shqipëria. Edhe sikur të lëmë mënjanë këto lodra të vockla opozitare, mund të pyetet se për çfarë shërbeu takimi “i gjerë dhe konsultues”? Nga njoftimi në faqen e Presidencës mund të kuptohet që Nishani ka bërë muhabet me të ftuarit. “Presidenti nënvizoi domosdoshmërinë e zgjidhjes së kësaj situate, e cila duhet trajtuar si interes i mirëfilltë publik, rrezikon të thellojë padrejtësinë e të shkaktojë tensione sociale duke vënë në pah njëkohësisht se “kjo nuk është një çështje politike, por i përket krejtësisht shtetit të së drejtës, është thellësisht kombëtare dhe plotësisht shtetare, ku shteti ka dhe duhet të përballet me përgjegjësitë e veta”, thuhet ndër të tjera aty. E njëjta histori 25 vjet. Përveç emfatizimit të “tensioneve sociale” nga “përfaqësuesi i unitetit të kombit”, si lëndë e parë edhe e opozitarizmit, asgjë nuk kuptohet. Fjalët e bukura që huazohen nga përkufizimet kushtetuese, sado legjitime, ngjajnë krejt boshe në kushtet kur edhe presidenti nuk del dot jashtë kontekstit të një klase politike që thjesht e ka vënë aty si pasojë e një koniunkture. Do të duhej një forcë personaliteti tjetër për ta mbyllur këtë boshllëk besimi dhe morali, çka Bujar Nishani nuk e ka dëshmuar, por që kërkon sot ta konfirmojë duke përkëdhelur veten.
Add new comment