Intervista/Konversioni në gjuhën shqipe

Postuar në 23 Tetor, 2015 14:14
Intervistoi: Sarandë Selimi
Libri më i ri i Rrahman Paçarizit “Konversioni në gjuhën shqipe”, që pritet të botohet së shpejti, sipas autorit do të sjell një fenomen në fjalëformimin e shqipes që është trajtuar shumë pak në gjuhësinë shqiptare. Ai për KultPlus ka treguar mbi studimin në këtë libër, sikurse që ka shpjeguar se ky libër fillimisht do të promovohet në Shkodër. Libri përmban rreth 700 fjalë ku vërehet konversioni i kryer ose procesi që çon kah konversioni dhe krejt kjo është ilustruar me më se 1400 shembuj.

KultPlus: “Konversioni në gjuhën shqipe”,  është libri i juaj më i ri që pritet të botohet së shpejti. Është vlerësuar të jetë një risi në fushën e gjuhësisë, më konkretisht çfarë qasje ka ky libër?   

Rrahman Paçarizi: Libri është dërguar për shtyp të mërkurën dhe pritet të dalë brenda pak ditësh. Për mua është një nga ndërmarrjet më të rëndësishme në fushë të gjuhësisë, pasi kam trajtuar një fenomen në fjalëformimin e shqipes që është trajtuar shumë pak në gjuhësinë shqiptare. Konversioni, për ta shpjeguar thjesht, është një mënyrë e fjalëformimit, kur një fjalë e caktuar prodhon një kuptim të ri pa e ndryshuar formën e fjalës. Në gramatikat e anglishtes dhe gjermanishtes sidomos, ky fenomen është trajtuar shumë gjerësisht, por pothuajse gjithmonë konversion është quajtur situata kur fjala e re pa ndryshime të formës ka ndryshuar edhe pjesën e ligjëratës, si për shembull “kripë” (i hodha gjellës pak kripë) dhe “krip” (e krip gjellën), d.m.th. nga emri kripë, pa ndonjë prapashtesë formohet folja krip, ose kur nga emri “rreth”, formohet një parafjalë “rreth” (Me një rreth(emër) në dorë sillejrreth(parafjalë) shtëpisë). Deri këtu nuk ka ndonjë risi, prandaj ajo që unë kam vërejtur dhe që jam përpjekur ta argumentoj është se në shqipen ky lloj i fjalëformimit ndodh edhe pa u ndryshuar pjesa e ligjëratës. Për shembull nga emri “bar” (bimë e gjelbër), është formuar emri tjetër “bar” (ilaç), por edhe emra të tjerë në përdorim sociolektal si “bari” (marihuanë etj.) Gjithashtu nga emri “gjuhë” (organ i të folurit) ka ardhur emri tjetër “gjuhë” (kod i komunikimit) e plot e plot raste të tjera, si “veri” (anë e horizontit) që ka prodhuar emrin tjetër “veri” (llof fryme, ere që fryn nga veriu) etj.

Metodologjikisht problematikës i jam qasur nga tri aspekte – morfo-sintaksor, leksiko-semantik dhe kognitiv që mendoj se përbën një risi në studimet e këtij lloji. Duke u përpjekur ta argumentoj sa më gjithanshëm, e kam trajtuar shkurtimisht këtë fenomen në disa gjuhë si në anglisht e gjermanisht ku ky fenomen është shumë prodhimtar, pastaj në italisht, frëngjisht e serbisht e kroatisht, ku mezi del si fenomen.

Libri përmban rreth 700 fjalë ku vërehet konversioni i kryer ose procesi që çon kah konversioni dhe krejt kjo është ilustruar me më se 1400 shembuj.

KultPlus: Kur filluat në mbledhjen e literaturës mbi këtë libër dhe sa kohë të morri deri në realizim?

Rrahman Paçarizi: Nëse llogarisim kohën kur kam nisur të mbledhë literaturë më specifike e deri tash u bë gati një vit. Gjatë kësaj kohe kam pasur disa shkëputje për shkak të angazhimeve të tjera, kryesisht gjatë kohës së organizimit të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, pastaj koha e provimeve merr mjaft kohë etj. 

KultPlus: Duke pas parasysh specifikën e librit, ku do të bëhet promovimi?

Rrahman Paçarizi:  Nuk kam planifikuar ndonjë promovim në Prishtinë, por edhe mund të bëhet. Tash për tash e kam një ftesë për ta promovuar në Universitetin e Shkodrës që e kam pranuar me kënaqësi. Të shohim...

KultPlus: Gjithnjë ekziston inspirimi, motivi mbi një krijim, por edhe ngecjet në drejtime të caktuara. Thënë më shkurt, duhet të ketë qenë një shtytje më e thellë deri te ky studim?   

Rrahman Paçarizi:  Definitivisht studentët e gjuhës shqipe, të cilët dua t’i falënderoj dhe t’i lavdëroj për qasjen kritike që arrijnë ta ndërtojnë në pothuajse secilën ligjëratë, qoftë në Morfologji, qoftë në Piskolinguistikë dhe kjo qasje e tyre ka qenë shumë vendimtare për t’i hyrë kësaj pune. Pastaj diskutimet me kolegët në Degën e Gjuhës Shqipe, Gjuhës Angleze dhe Gjuhës Gjermane, më kanë ndihmuar të ndërtoj disa këndvështrime duke ngritur dilema të shumta që më kanë detyruar të thellohem gjithnjë e më shumë në këtë problematikë. Dega e Gjuhës Shqipe funksionon si njëfarë qarku linguistik, ku diskutohet gjithçka dhe pa kompromis. Jam i bindur që rezultatet e krejt kësaj qasjeje do të shihen shumë shpejt.

KultPlus: Përveç të tjerash ju jeni edhe ligjërues në UP, nëse flasim për ndjesinë se cila mund të jetë më e fuqishme, të ligjërosh apo të shkruash, nga anon Rrahman Pacarizi?

Rrahman Paçarizi:  Janë aq të ndërlidhura sa vështirë se mund të jepet një përgjigje e qëndrueshme. Është mësimdhënia që e shtyn një profesor që në përpjekje për ta përditësuar vetveten me të arriturat dhe të rejat në shkencë të gjejë problematika që mund të diskutohen, analizohen e përimtohen edhe më tej. Pastaj, studentët janë aq energjikë dhe kërkues në këtë plan, sa profesori patjetër duhet të jetë vazhdimisht i gatshëm të përballet me pyetje e kërkesa. Në këtë kuptim, studentët janë ata që të shtyjnë të hulumtosh e studiosh më tej, ndërkaq studimet dhe paraqitja e rezultateve para tyre, i nxit ata për diskutime të mëtejshme. Kaq të ndërlidhura janë këto dy veprimtari.

KultPlus: Dhe për fund, çfarë mund të pritet pas librit “Konversioni në gjuhën shqipe”?

Rrahman Paçarizi: Dy gjëra i kam krejt të qarta – e para se pas një bredhjeje në fusha të ndryshme e punë të ndryshme, përfundimisht i jam kthyer fakultetit dhe hulumtimeve, i jam kthyer asaj që e quajmë zakonisht punë shkencore dhe e dyta jam shumë i vendosur ta përfundoj një libër shumë më voluminoz se “Konversioni...”. Pra, aktualisht jam pothuajse në gjysmën e punës për ta hartuar një libër mbi fjalëformimin në gjuhën shqipe, me një qasje të kombinuar ndërmjet strukturalizmit dhe gjenerativizmit. Mendoj se do të jetë një kontribut i rëndësishëm për studime të mëtejshme në këtë fushë dhe më siguri edhe “Konversioni...” por edhe “Fjalëformimi...” do të nxisin shumë diskutime, të cilat do të më ndihmojnë për thellim të mëtejshëm në këtë çështje.

KultPlus.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.