Fleckenstein në Konferencën me krerët e komisioneve të Integrimit: Nuk ka integrim me gjyqësor të korruptuar
Kryetarët e Komisioneve parlamentare të Integrimit të Shteteve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizim-Asocimit të Evropës Juglindore janë mbledhur në Tiranë në Konferencën e 11-të të radhës. Në fjalën e tij, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, tha se rajoni ynë ndodhet në një moment historik dhe në një fazë intensive të marrëdhënies kontraktuale me BE-në. “Mbarëvajtja në procesin e integrimit në Shqipëri dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor lidhet ngushtë me shpejtësinë e reformave, e cila do të garantonte çeljen e negociatave me BE-në. Vendet tona duhet të përshpejtojnë ritmet e reformave, sidomos ato që lidhen me forcimin dhe sundimin e ligjit, pasi fenomene si krimi dhe korrupsioni ende janë barriera serioze për një zhvillim të shpejtë. Projekti i reformave të qëndrueshme duhet të përshpejtohet nga secili vend i rajonit tonë, duke bashkëpunuar ngushtë dhe me grupet e interesit dhe shoqërinë civile”, u shpreh kreu i Kuvendit. Ai e vuri theksin edhe tek rritja e parametrave të sigurisë. “Parametrat e sigurisë, kyçe për vendin tonë. Mbështesim aspiratat e të gjithë vendeve të rajonit tonë. Ne duhet të marrim pasa praktike dhe të investojmë edhe më shumë për arsimin e të rinjve tanë”, u shpreh Meta.
Reporter Knut Fleckenstein, foli për krizën e emigrantëve duke thënë se gjithnjë e më shumë vende po përballen me numrin e rritur të tyre. Fleckenstain theksoi se ka shumë sfida si për vendet e BEsë dhe për aspirantët dhe se integrimi kërkon angazhim të vazhdueshëm duke veçuar punën e Serbisë. “Integrimi kërkon angazhim të vazhdueshëm. Serbia po tregon punë më të mirë se vendet e tjera. Qeveria në Shqipëri po punon për prioritetet. Reforma në gjyqësor, jo për t’i bërë qejfin BEsë. Reforma në gjyqësor do të bëjë përparime. Nuk ka integrim me gjyqësor të korruptuar. PE nuk preket nga efekti i lodhjes së zgjerimit. Dialogu për bashkëpunim rajonal është intensifikuar. Në procesin e Berlinit të përfshihen dhe parlamentet”, tha ai.
Ndërsa Kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu e vuri theksin tek problemet që ka ende Shqipëria për të qënë pjesë e unionit, ndërsa theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bashkëpunojnë me qëllim integrimin në bllok. “Shqipëria ka sot numrin më të lartë të azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, problem mbetet papunësia, sidomos tek të rinjtë dhe korrupsioni”, tha ajo.
Add new comment