Të paktën të arrijmë… Malin e Zi

Postuar në 19 Tetor, 2015 20:55

Përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së në Shqipëri, Jens Reinke, deklaroi para ca ditësh në mediat shqiptare se vjelja e të ardhurave tatimore-doganore në Shqipëri, si përqindje e Produktit të Brendshëm Bruto, është me e ulët sesa në shumë vende europiane me sistem të ngjashëm taksash.

Në qoftë se përfytyrohet ekonomia si një pemë, në mënyrë metaforike, mund të thuhet se shteti shqiptar vjel një përqindje më të vogël të kokrrave të pemës së vendit të vet, në krahasim me shtete të tjera europiane. Dhe që të mos bëjmë gabimin e krahasimit të Shqipërisë me Gjermaninë apo me Danimarkën, la ta krahasojmë me… Malin e Zi.

Me fqinjin tonë verior kemi të ngjashme shumë gjëra – gjeografinë, historinë, kulturën, ekonominë, sistemin fiskal dhe politikën. Por vjet, shteti malazez futi në thesarin e shtetit 33.5% të vlerës së PBB-së së krijuar nga ekonomia e vendit, ndërsa shteti shqiptar vetëm 26% të vlerës së PBB-së shqiptare. Dhe ky i yni ishte një nivel pothuaj rekord në çerekshekullin e fundit – vetëm në vitin 2008 u shënua një nivel 26.9%.

Megjithëse sivjet pritet të kalohet niveli 27%, ne mbetemi përsëri prapa nivelit të Malit të Zi, i cili pritet këtë vit të arrijë 34.5% të PBB-së.

Dhe tani le të krahasojmë disa nga të ardhurat kryesore të 2014-ës për të dyja vendet.

Arkëtimet në buxhet nga TVSH-ja si përqindje e PBB-së: 8.8% Shqipëria vs. 12% Mali i Zi.

Arkëtimet në buxhet nga taksa e sigurimeve shoqërore/shëndetsore si përqindje e PBB-së:

5% Shqipëria vs. 10.7% Mali i Zi.

Arkëtimet në buxhet nga akcizat si përqindje e PBB-së: 2.9% Shqipëria vs. 4.5% Mali i Zi.

Arkëtimet në buxhet nga taksat nacionale si përqindje e PBB-së: 2.3% Shqipëria vs. 1% Mali i Zi.

Arkëtimet në buxhet nga tatimi mbi fitimin si përqindje e PBB-së: 1.5% Shqipëria vs. 2% Mali i Zi

Arkëtimet në buxhet nga tatimi mbi të ardhurat personale si përqindje e PBB-së: 2.1% Shqipëria vs. 2.5% Mali i Zi.

Siç shihet qartë nga shifrat e mësipërme, shteti malazes vjel pothuaj për çdo lloj takse një përqindje më të lartë të PBB-së sesa shteti shqiptar. Dhe vlera e PBB-së për frymë është shumë e afërt për të dyja vendet, ndërkohë që edhe struktuara e ekonomisë është e ngjashme (raporti shërbime-industri-bujqësi është shumë i ngjashëm në krijimin e PBB-së).

Fakti që shteti malazes mbledh më shumë të ardhura si përqindje e PBB-së i jep mundësinë atij që edhe të shpenzojë më shumë për paga, pensione, invetime publike dhe meremetime e mirëmbajtje. Por përveç faktit që mbledh më shumë të ardhura, shteti malazes shpenzon edhe më pak për interesat e borxheve të akumuluara ndër vite (vetëm 2% të PBB-së, krahasuar me 3.3% të PBB-së që shpenzon shteti shqiptar).

Kështu Mali i Zi shpenzon për pagat shtetërore 8% të PBB-së, ndërsa Shqipëria vetëm 5%. Për pensionet, Mali i Zi shpenzon 9.5% të PBB-së ndërsa Shqipëria vetëm 7%. Ndërsa në investimet publike, diferenca është edhe më e madhe: 10% e PBB-së në Mal të Zi, krahasuar me vetëm 4.5% PBB-së në Shqipëri.

Pra, kur të ankohemi për diferencën e nivelit të zhvillimit që vëmë re në Malin e Zi, duhet të mbajmë parasysh edhe faktin se malazezët kontribuojnë goxha më shumë se ne për shtetin e tyre, në mënyrë që ky i fundit t’u sigurojë një nivel më të lartë investimesh, rrogash e pensionesh.

E.Zaloshnja

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Kjo tregon vetem qe ne Mal te Zi vidhet pak me pak se ne Shqiperi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.