Rama: Do hetohet privatizimi i OSHE me ekspertizë ndërkombëtare, Gjiknuri shpëtoi sistemin…
Kryeministri Rama ka thënë “fjalët më të mira” për ministrin Gjiknuri si udhëheqës i një operacioni historik për shpëtimin nga kolapsi energjetik, dhe ka deklaruar se hetimi i privatizimit të OSHE tek CEZ do të bëhet me ekspertizë ndërkombëtare, “për atë që ka ndodhur në gjithë sistemin energjitik para marrëveshjes së nënshkruar me çekët”. Ai i bëri deklaratat në fjalën e mbajtur në 1-vjetorin e nisjes së aksionit për mbledhjen e borxheve, ku tha se marrëveshja me CEZ po sulmohet sot nga personat që abuzuan me sektorin.
“Ajo marrëveshje, që sot sulmohet në mënyrë të orkestruar për arsye që ne e dimë shumë mirë dhe jam i bindur që koha do ta provojë këtë, të shtyrë nga frika legjitime e atyre që duhet të përgjigjen për atë që i bënë sektorit energjitik, është një marrëveshje e negociuar jo në kulisa, as në zyrën e Kryeministrit, si pazaret e faktuara me dokumenta, që do të jenë pjesë e hetimit penal që ne do të kërkojmë me mbështetjen e ekspertizës ndërkombëtare, por u negociua në Vjenë me pjesëmarrjen e 15 personave nga qeveria shqiptare dhe me seanca të regjistruara”, tha Rama.
Rama u shpreh se sulmi me polici ndaj kompanisë dhe vendosja e një administratori shtetëror në krye të një prone private i hapën rrugën abuzimit dhe vjedhjeve me shpresën se në atë rrugë do të vinin votat për të mbajtur në këmbë qeverinë.
Add new comment