Më mirë Ilir Meta, sesa Edi Rama

Postuar në 19 Tetor, 2015 11:44
Fitim Zekthi

Gjithë verën dhe sidomos këtë vjeshtë, thelbi i debateve politike në vend është përqendruar te konflikti Rama-Meta. Çështja shkoi deri aty, sa Spartak Braho, njeri i afërt i Ilir Metës, të flasë për komplot ndaj kreut të LSI-së. Një çështje për korrupsion masiv me mbledhjen e detyrimeve të CEZ, me marrëveshjen për t’u dhënë çekëve 90 milionë euro dhe shmangur arbitrazhin, ishte tagjia bazë e shtypit dhe e akuzave që mbajtën gjallë zhurmën e kësaj lufte. Kryeministri u detyrua të shkojë dy herë në zyrë të Metës pasi kish folur më parë nga ShBA se gjithë zhurmnaja ishte idiotësi, që të qetësohej disi situata. Nuk dihet se në çfarë pike ky konflikt është i paqetësueshëm, por është fakt se ai është aty. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama përvijoi në opozitë një qasje radikale politike, e cila sipas tij ishte zgjidhja për vendin: Rilindjen. Me Rilindje, ai kuptonte një transformim rrënjësor të ekonomisë, rendit, politikës por edhe kulturës së vendit. Më se njëherë ai ka thënë se do të sjellë, drejtësi, do t;i japë fund varfërisë, papunësisë, shkollave të këqija, spitaleve të korruptuara etj. Një shembull: Më datë  16 qershor 2013, në Librazhd ai tha: “Ne do ta rilindim Librazhdin (e përsëriti këtë qytet më qytet), do ta rilindim fshatin rreth e rrotull, do të sjellim ujë në çdo shtëpi e në çdo parcelë, do të ulim kostot e prodhimit, do të ulim çmimet e ushqimeve, që sot familjet e zakonshme këtu dridhen kur shkojnë në pazar. Do e lehtësojmë biznesin e vogël duke jua hequr taksën e biznesit të vogël e përgjysmuar tatimin e fitimit. Do të bëjmë legalizimet falas të shtëpive të ndërtuara pa leje, do të shkojmë përpara së bashku jo në rrugën që ofron Saliu, sepse përpara me Saliun do të thotë mbrapa, larg, thellë drejt rrënimit. Ne do të bëjmë drejtësi për 21 janarin dhe për të gjitha zullumet e këtyre viteve… padrejtësia do të marrë fund”. Në 1 prill të atij viti, Ilir Meta dhe Edi Rama njoftuan se kishin ndërtuar një koalicion të ri dhe se do të ishin bashkë në zgjedhje. Ilir Meta tha se gjithçka kishte thënë për Ramën (akuzat e tmerrshme pas 21 janarit) i përkiste arkeologjisë dhe historisë. Ai shihte vetëm përpara. Ai i bashkohej koalicionit me PS për të vendosur një  “ekuilibër të ri pushtetesh”. Sipas kësaj logjike, Berisha kontrollonte tri  degët e qeverisjes ose tri pushtetet: gjykatat, qeverinë dhe Parlamentin. Ilir Meta dhe LSI nuk u bashkuan me PS për Rilindjen, por për “ekuilibrin e pushteteve”. Rilindja është një ide totalitare. Në këto dy vite kryeministër, Rama është përpjekur ta bëjë edhe më të qartë këtë tipar të saj. Një nga shenjat kryesore të një ideologjie totalitare është pikëpamja e saj teleologjike (objektiv i orientuar) e zhvillimit social. Studiues të njohur si Klemperer, Eidlin, Lefort, Deëitte etj., bien dakord se diskuri totalitar dominohet nga katër veti bazë: a) stili deklamativ dhe tonet e ethshme të fushatës, b) propaganda triumfaliste ku ekzagjerohet rëndësia e arritjeve sociale dhe rezultateve konkrete, c) përdorim i ideologjizmit dhe krijim ideologjemash e klishesh, dhe së katërti d) përdorim aktiv i përgjithësimit në dëm të logjikës, kriticizëm shumë i lartë, përdorim sloganesh, batutash, etj. Stili i kryeministrit Rama është më shumë se deklamativ dhe tonet e fushatës shoqërojnë gjithandej ligjërimin e tij edhe tani dy vjet pas marrjes së pushtetit. Ai vazhdimisht thotë: “Ne, për herë të parë rritëm buxhetin, për herë të parë po rrisim punësimin, për herë të parë ka rënë numri i aksidenteve, për herë të parë ka ilaçe në spitale, për herë të parë po bëhet harta e pronave, për herë të parë policia është kthyer në krye të detyrës etj., etj”. Fjalimet e tij janë me tone triumfaliste, me ekzagjerim të rezultateve dhe me përgjithësime pafund duke dëmtuar logjikën. Ai thotë: “Ne po i japim fund një administrate tatimore gjobëvënëse, varrmihëse të biznesit dhe pasuruese të familjes”; “Në tetë vjet nuk legalizuan asnjë ndërtim, nuk lanë rrugë pa lënë rrugëve, nuk lanë shqiptar pa vjedhur” etj. Pra, që të gjitha përgjithësime në dëm të logjikës. Sa për kriticizmin e lartë, nuk ka nevojë të përmendet si tipar i ligjërimit të kryeministrit Rama. Ky totalitarizëm ka pasur ndikimin e tij në jetën e vendit. Ekonomia vuan si asnjëherë më parë, papunësia e lartë, rënie të konsumit, rritje me 350% e aftësisë së bizneseve, disa vetëvrasje për largime puna, mijëra të larguar nga Shqipëria, uzurpim i kompetencave të Presidentit për emërimet e gjeneralëve, përpjekje për të emëruar gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, akte normative antikushtetuese që kanë prishur shtëpi të njerëzve të thjeshtë, arrestime në të paktën dy raste të prindërve së bashku me fëmijë të mitur etj. Ka një problem me totalitarizmat. Ata besojnë se kanë gjetur zgjidhjen përfundimtare për problemet e njerëzve , se mund të mendohet një shoqëri ideale, të cilën njerëzit mund ta arrijnë vetëm në qoftë se bëjnë gjithçka që është e domosdoshme për ta jetësuar atë, atëherë lideri dhe ndjekësit duhet të besojnë se nuk ka asnjë çmim që të jetë aq i lartë sa të pengojë hapjen e dyerve të parajsës. Isayah Berlin, një nga filozofët më me ndikim të shekullit që kaloi, thotë se kur arrihet në këtë pikë për liderin dhe ndjekësit, vetëm budallenjtë dhe dashakeqësit (Rama i quan vazhdimisht opozitën dhe kundërshtarët budallenj ose dashakeqës) do t’iu rezistojnë këtyre të vërtetave të thjeshta. Eric Hobsbawum, një historian i madh marksist thotë se, në qoftë se do të ishte i vërtetë komunizmi, ia vlente edhe vdekja e  100 milionë njerëzve.  Ndërkohë LSI është në qeveri për një ekuilibër pushtetesh. Ajo ka treguar gjatë gjashtë viteve qeverisje se nuk mban asnjë përgjegjësi, se ajo ka një mënyrë të sajën për të fituar vota, se ajo ka zgjedhur një pozicion që e lë gjithnjë në pushtet, që i jep mundësinë të vendosë kahun e pushtetit. LSI është në fakt një parti politike ekstremisht klienteliste, e cila moralin politik e quan çështje arkeologjie. Politika shqiptare ka fituar një cilësi të ndytë, ose e ka thelluar këtë cilësi për shkak të LSI-së, që është rritja jologjike dhe jopolitike në vota. LSI ishte në qeveri dhe teksa partia kryesore, PD, më 2013-n bie me rreth 40% të votave, LSI rritet me 250% të tyre. Çdo studiues i politikës do të luante mendsh dhe bota do të kishte një rast sui generis studimi nëse këto vota do të kishin shkuar tek LSI me vullnet të lirë. Edhe në zgjedhjet lokale të këtij viti LSI sërish është rritur, ndërkohë që PS, jo. Politikja si kategori ka vdekur. Ministrat e LSI edhe në qeverinë Berisha, edhe në atë Rama, jo vetëm nuk mbahen mend për shkëlqimtarë, por kanë qenë më problematikët. Vetë Meta ka qenë në qendër të akuzave për vrasje, për ryshfete, për intriga, është bërë objekt videosh dhe gjyqesh. Në kohën kur ka qenë kryeministër në vitin 2001, Meta mbahet mend për një kryeministër autoritar, që ktheu në modus operandi krahinorizmin, arrogancën, ndërtimin e grupacioneve etj. Ai dhe partia e tij nuk mund të prodhojnë kurrë qeverisje të mirë, përkundrazi, ata vetëm mund të infektojnë, kalbëzojnë apo gangrenizojnë një qeverisje. Pikërisht këtu gjendet edhe e mira e kësaj force politike sot. Përballë një qeverisjeje totalitare të Edi Ramës, që mendon se është shpëtimi i kombit, që ka gjetur ilaçin çudibërës për këtë vend pavarësisht çdo çmimi sa do i rëndë, LSI është një forcë e vlefshme. Ajo punon kundër një qeverisjeje të tillë. Është fatkeqësi e madhe për këtë vend që 25 vite pas vendosjes së pluralizmit qeveria përbëhet nga dy forca të tilla. Qeverisjet totalitare kudo në botë kanë prodhuar gjëma të tmerrshme. Qeverisje totalitare racionalizojnë dhe sistematizojnë veprimin, i cili është gjithnjë në funksion të transformimit rrënjësor. Me këtë mekanizëm dehamunizohet veprimi politik dhe institucionet dhe nisin e justifikohen lemeri të pamendueshme.  Aleksis de Tocqueville, një nga mendimtarët më të rëndësishëm të mendimit perëndimor me një mprehtësi gjeniale, shkruante rreth dy shekuj më parë se “është më mirë një politikan i keq, i korruptuar dhe i babëzitur, sesa një intelektual, mos o Zot artist, që i duket vetja misionar dhe që ka në kokë ide për transformime rrënjësore”. Kësisoj, konflikti i shëmtuar mes PS dhe LSI, në qoftë se nuk do të qetësohet nga interesaxhinj të pushtetshëm, nuk duhet të përfundojë duke lënë Ramën vetëm kryeministër. Është më mirë një mazhorancë Rama-Meta se vetëm Rama, fatkeqësisht.

 

"Mapo" 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.