Buxheti 2016 sjell përplasjet e para të vendorëve socialistë me Canin
Transferta e pakushtëzuar e fondeve për pushtetin vendor u kundërshtua dje nga drejtuesit e majtë të Bashkive të Durrësit dhe Elbasanit duke sjellë kështu dhe përplasjet e para. “Panorama” shkruan se Vangjush Dako dhe Qazim Sejdini kanë kërkuar më shumë fonde për pushtetin vendor dhe kundërshtuan mënyrën e llogaritjes të tij. Shkak është pasi kriteri bazë për ndarjen e fondeve vendore do të përdoret koncepti i banorit rezident efektiv për popullsinë, sipas censusit, me 30 për qind të diferencës mes regjistrit të gjendjes civile. Vangjush Dako kërkoi që granti i pakushtëzuar të jetë në vlerën e 10 përqindëshit, pasi 90 për qind e buxhetit vendor shkon për shpenzime operative dhe vetëm 10 për qind investime.
Por ministri i Financave, Shkëlqim Cani, theksoi se pas një sërë analizash e diskutimesh është parë e arsyeshme rritja me vetëm 1 për qind e transfertës së pakushtëzuar për vitin 2016 drejt pushtetit vendor. Ministri i Financave theksoi se këto janë mundësitë financiare, ndërkohë që u kërkoi vendorëve të rrisin performancën në vjeljen e taksës së pasurisë.
Me ndarjen e re territoriale, Ministria e Financave propozoi që madhësia e grantit të pakushtëzuar për bashkitë të rritet nga 5 për qind në 6.5 për qind. Në rang qarku u propozua që granti i pakushtëzuar të ulet nga 9 për qind në rreth 5 për qind.
Add new comment