Qytetarë të vyer, nxënës të shkelqyer, një reklamë që irriton

Postuar në 16 Tetor, 2015 10:14
Gilman Bakalli

Bashkia e Tiranës ka vendosur të përhapë dhe të inkurajojë modelin pozitiv në hapësirën publike, duke vendosur fotot e nxënësve më të mirë të shkollave të kryeqytetit. Bashkë me emrat e tyre. Dhe bashkë me një nënshkrim: “Qytetarët më të vyer të Tiranës janë edhe nxënësit më të shkëlqyer të saj”. Nëpër rrjetet sociale ka pasur një diskutim të ethshëm etiko-legal në lidhje me këtë nismë të Bashkisë. Diskutimi vazhdon. Dhe përqendrohet kryesisht te çështje ligjore të nismës, siç është shqetësimi “a iu është marrë leja prindërve të nxënësve për publikimin e fotove”, apo “a shkelet kufiri i privatësisë, nëse publikohet fotoja dhe emri i fëmijëve?” apo “a ka të drejtë shteti të shfrytëzojë imazhin e fëmijëve për të përhapur modele pozitive?”, e të tjera të ngjashme me këto. Të gjitha shqetësime të diskutueshme sigurisht, por që nuk prekin një pjesë të reklamës, e cila më duket më irrituese se vetë imazhi. Teksti: “qytetarët më të vyer të Tiranës janë edhe nxënësit më të shkëlqyer të saj”.

Është një tekst ambig par excellenceku përzihen në një vagullsia terminologjike me logjikën false. Një tekst më tëhuajtësues dhe irritues se kaq nuk mund të shkruhet. Një tekst që ta nxjerr përdhunshëm atë pyetjen klishè “çfarë ka dashur të thotë autori”? Si duhet ta lexojmë atë?

Fillimisht të irriton termi “qytetar i vyer”. Ç’nënkupton ky togfjalësh? Çfarë ka pasur ndërmend autori i tekstit! Nuk mund ta dimë, por mund të hamendësojmë se, duke e përdorur atë, lë të hapur mundësinë e ekzistencës së një kategorie të dytë qytetarësh më pak të vyer ose jo edhe aq të vyer. Me pak fjalë, fillimi i tekstit tradhton nënvetëdijen e një individi, e cila popullohet nga banorë të vyer dhe jo të vyer, nga kryeqytetarë dhe nënqytetarë, nga qytetarë të kategorisë së parë dhe qytetarë të kategorisë së dytë, nga qytetarë superiorë dhe inferiorë! Në fakt, neve si lexues na intereson vetëdija e një personi që punon në Bashki, e cila popullohet nga qytetarë që vlerësohen nga shkalla e përmbushjes së detyrimeve që ata kanë ndaj institucionit. Teksti do të ngjallte më pak irritim, nëse do të përdorte termin “qytetar i përgjegjshëm”. Një qytetar që i njeh përgjegjësitë e tij ndaj qytetit ku jeton.

Irritimi shtohet nga raporti midis qytetarit të vyer dhe nxënësit të shkëlqyer. Ka mundësi që koncepti i nismës të jetë mbartur nga disa vende të Europës Perëndimore. Problemi është se këtu raporti qytetar-nxënës është kthyer përmbys. Disa reklama të ngjashme në Gjermani për shembull, (“bessere Schüler, bessere Bürger, bessere Welt” – nxënës më të mirë, qytetarë më të mirë, botë më e mirë) përdorin lidhjen logjike midis nxënësit të mirë dhe qytetarit të përgjegjshëm në mënyrë të tillë që, i pari jep (potencialisht) garanci për të dytën. Nënshkrimi i reklamës na dikton forma kontradiktore leximi. Mos do të thotë që vetëm qytetarët e vyer të Tiranës mund të jenë nxënës të shkëlqyer? Apo “i vyer” je, vetëm nëse je “edhe nxënës i shkëlqyer?” Apo të qenit qytetar i vyer ecën dora-dorës me dhuntinë e të qenit nxënës i shkëlqyer, prej së cilës përjashtohen qytetarët më pak ose jo edhe aq të vyer? A ka mundësi që nxënësit e shkëlqyer të mos jenë pjesë e qytetarisë së vyer të Tiranës? A ka mundësi që qytetarët e vyer të mos jenë nxënës të shkëlqyer? Sigurisht që po! Teksti e lidh përmes një logjike gati-gati deterministe të qenit nxënës i shkëlqyer me të qenit qytetar i vyer.

Kush është specialist tekstesh e di krejt mirë se çdo tekst përmban elemente, efekti i të cilave varet nga interpretimi i lexuesit, interpretime që shpesh janë edhe kontradiktore. Kurthi ku bien shumë përpilues tekstesh është se, për të shmangur keqinterpretimet, ata shtojnë elemente në tekst, ndoshta edhe me idenë se sa më shumë informacion aq më tepër saktësi merr ai. Gjë që nuk ndodh. Paradoksalisht, sa më shumë informacion dhe atribute që ka një tekst, aq më e madhe është mundësia e tëhuajtësimit dhe irritimit të lexuesit. Në rastin e reklamës në fjalë, do të mjaftonte një fjali e vetme shoqëruese nën foton e nxënësit për të dhënë idenë se nxënës të mirë përbëjnë një mundësi më shumë për të pasur qytetarë më të përgjegjshëm në të ardhmen.

"Mapo"

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

C'ka me thane or ti Gilman, shume holle asht tuj ta nda penin q'ajo bithe or Gilman.

Erjoni nuk e mendon kaq gjate, i kane thene te nxjerre tabelen e nderit dhe kete ka bere, pastaj ajo puna a i vyer, a i shkelqyer, a i shker.dhyer, c'rendesi ka?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.