Dyfishohet borxhi i bizneseve, doganat s’mbledhin dot paratë. Në degën e Tiranës arrin 3.4 mld lekë
Vlera e borxhit që kompanitë e biznesit i kanë Drejtorisë së Doganave të Tiranës është dyfishuar brenda një viti. Nga auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit u konstatua se gjendja e borxhit doganor në fillim të vitit 2014 ka qenë 1.8 miliardë lekë, kurse në fund të vitit 2014 ajo ka arritur në vlerën 3.4 lekë, shumë kjo që u takon 350 subjekteve debitore.
KLSH argumenton se, shifrat e mësipërme të borxhit tregojnë për punën e paorganizuar që ka bërë Dega e Doganës Tiranë në drejtim të rikuperimit të borxhit doganor.
Për të mbledhur këtë borxh Dogana ka nxjerrë urdhra për rikuperimin me forcë të tij, nëpërmjet 381 vendimeve për sekuestrimin e mallrave të subjekteve debitore në vlerë 2,4 miliardë lekë, ose në masën 73% të borxhit në total.
Por KLSH vëren se, ecuria e këtyre masave nuk ka qenë në nivelin e parashikuar, për arsye të mungesës së bashkëpunimit me strukturat e specializuara të DPD dhe institucioneve përkatëse.
Përgjegjësia është e shpërndarë në sektorin e financës, te juristët e doganës dhe në Zyrën e Borxhit Doganor, duke vështirësuar jo vetëm administrimin, por dhe ndjekjen e këtyre vendimeve.
Për sa më sipër është rekomanduar që, autoriteti doganor kompetent, Dega e Doganës Tiranë në bashkëpunim me strukturat e specializuara të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe institucionet e tjera shtrënguese shtetërore, të marrin masa të plota për zbatimin e të gjitha vendimeve sekuestro të nxjerra, në vlerë 2.4 miliardë lekë.
Add new comment