Genc Ruli e konfirmon: Lulzim Basha nuk u zgjodh, por e pranoi detyrën e kryetarit

Postuar në 14 Tetor, 2015 14:51

Partia Demokratike po vendos së fundmi disa precedentë jo shumë pozitivë në skenën politike, edhe kështu e dërrmuar në imazh publik. P.sh po vihet re se kritikën dhe kërkesën për një analizë të humbjes më 21 qershor e bën ish-kryeministri Sali Berisha dhe njerëz që kanë qenë afër tij përherë. Më e pazakonta është koha kur po zgjidhen këto insinuata që krijojnë presion të madh mbi kryetarin e PD-së, Lulzim Basha është zgjedhur pikërisht pasi afera e CEZ-it kaloi. Një aferë që bashkë me raportin konfidencial të OSBE-së, riprodhoi akuza publike sidomos për Sali Berishën. A duhet parë ky si një kundërsulm i këtij të fundit, apo marrje e frenave të kontrollit duke imponuar që në vendimmarrje të PD-së të rikthehen bashkëpunëtorë direktë të tij? Kjo është e palexueshme mirë në një parti e cila është e mbyllur për publikun. Por Genc Ruli, një deputet dhe ish-ministër që është zgjuar rishtaz me kritika dhe “reflektime” siç ka qejf t’i cilësojë, jep një hollësi, që ndonëse dihej, nuk ishte pohuar. Në një intervistë për gazetën “Tema” Ruli teksa kërkon analizimin e humbjes së 21 qershorit bën edhe këtë vërejtje: “Me sa duket Basha nuk është ndjerë aq konfort dhe dhe aq i sigurt në këto dy vite të lidershipit të tij dhje mesa duket ka preferuar të rrethohet nga figura të reja, që i japin një qetësi psikologjike në ushtrimin e lidershipit të tij. Basha në krye të PD-së ka qenë i pakontestuar që nga dita që mori funksionin e kryetarit e deri më sot. Ndoshta ka qenë vështirësia psikologjike me të cilën ai pranoi dhe mori këtë post të rëndësishëm por edhe tejet të vështirë”. Le të vihet re sesi përdoret termi “vështirësi psikologjike”, që aludon kështu se PD-ja ka në krye një njeri “që nuk është i prerë për ta drejtuar”. Pra nuk e ka vokacionin e liderit. Më tej, kur bashkëpunëtori i ngushtë i Sali Berishës, Genc Ruli thotë se: “ka qenë vështirësia psikologjike me të cilën ai pranoi dhe mori këtë post të rëndësishëm por edhe tejet të vështirë”, nuk bën tjetër veçse e konfirmon atë që është shprehur shumë herë: se Lulzim Basha e ka marrë detyrën nga të tjerë dhe nuk është zgjedhur aty. Kjo dihet si një e vërtetë e pamohueshme, por kur nënvizohet nga rrethi politik që merr vendime, atëherë është e qartë se po dërgohen mesazhe presioni. Teza se Basha dhe Rama kanë bërë marrëveshje në aferën e CEZ-it u hodh fillimisht nga LSI-ja dhe vetëm dje në intervistën e tij, Sali Berisha e mbrojti hapur Ilir Metën kur deklaroi se “ne nuk e akuzuam atë”. Në fakt PD-ja dhe Berisha e akuzuan Metën, ndonëse më vonë e orientuan kursin drejt kryeministrit. Thënë kjo, loja me CEZ-in dhe me raportin e OSBE-së që godisnin Sali Berishën, ndoshta kanë hedhur farën e mosbesimit, ose të paktën pakënaqësisë në PD. Lulzim Basha është një politikan me rëndësi protokollare në Shqipëri, por përtej këtij aspekti nuk shihet ndonjë gjë tjetër. Kjo edhe pse ai është rasti tipik i njeriut që operon në sipërfaqe. 

http://www.gazetatema.net/web/2015/10/14/intervista-genc-ruli-cpo-ndodh-...

Comments

Submitted by Kato...vica Shq... (not verified) on

Genc Ruli eshte kapacitet, askush nuk e mohon kete. Dhe nese PD ka menduar ndonjehere ekonomikisht, eshte menduar me "koken e Rulit".
Por, kur eshte fjala per kahjet e ngjyresat politike, ose le te guxojme duke perdorur termin "ngjyresat ideologjike", Ruli, Pashko dhe te Tjere, sic edhe ftuesi i Tyre Sali berisha, do duhej te mos ishin ne krye te nje Partie Demokratike te djathte....
Per te mbetur brenda ketij komenti: kam frike nga Lulezim Basha perballe Vetes se Tij, pa, po te ishte fjala per keta qe i la trashegimi binomi fillestar Berisha-Pashko, Lulezim basha do e kishte perkrahjen e te gjitheve.
Gjithnje nese ai mendon sinqerisht per te ravijezuar nje parti te djathte, jo doemos tradicionale, doemos moderne, liberal-progresive.
Duket se Basha e kupton se tek e Djathta kerkohet nje lloj Edi Rame: Edi Rama mund te bjere qysh neser nga podi i kryeministrit, por ai do mbahet mend, se paku qe e largoi PPSH-ne nga selia e PS-se!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.