Shënim: Braho “ndërhyn” për Ballistin, por shumë pyetje duan përgjigje…
Deputeti i LSI, Spartak Braho ka treguar në Panorama arsyen e vizitës që i ka bërë në qeli Ballist Morinës. Sipas Brahos, ai është një djalë që nuk përbën rrezik publik, për më tepër ka lënë pa asnjë mjet jetese gruan e tij dhe dy fëmijët.
“Unë u vura në dijeni se ai prej kohësh ndihej i kërcënuar dhe nën presion të vazhdueshëm, rrethana të cilat kishin krijuar tek ai psikozën e hakmarrjes dhe psikologjikisht ndjehej i tronditur dhe i pasigurt që nga ngjarjet e Beogradit. Në gjykimin tim, kryetifozi i Kombëtares kuqezi nuk përbën asnjë rrezik publik. Unë pashë tek ai një djalë shumë inteligjent, i matur, i qetë, ndonëse origjina e tij ishte nga një fshat i Kukësit, nga Shën Mëria. Ai ishte një shqiptar shumë i karikuar me çështje të identitetit kombëtar, kryesisht ndaj Kombëtares së futbollit”. Braho thotë se ai mund të lirohet me një amnisti të Presidentit, sepse ka lënë pa asnjë të ardhur fëmijët dhe bashkëshorten italiane.
Kjo ndërhyrje “alla LSI”, pra praktike dhe “konkrete” në çështjen e kombëtares kuqezi, ku tani bën pjesë edhe Morina, duket se është llogaritur si kontribut i saj në këtë histori (dhe histeri): Kryeministri me ceremoni e fjalime, presidenti me dekorata, dhe LSI me solucione direkte. Por një mal me pyetje që ngre çdo shqiptar kanë nevojë për përgjigje.
A nuk duhet pritur dënimi pastaj të vijë amnistia për Ballistin? Sa i merakosur ishte ai për fëmijët dhe gruan, saqë këto kohë “kërkonte punë” nëpër lokalet e bllokut në Tiranë? Cili ishte ankthi për familjen kur fondacione e televizione i mbledhin para dhe ai i harxhon për makinë? Sa i frikësuar duhet të jesh për jetën tënde, që të vish vërdallë haptaz dhe me dy pistoleta? Ç’duhet t’i kërkojnë LSI-së dhe Brahos ata që tani janë në burg për rrip sigurimi, semafor me të kuqe, dhjetë apo njëzet gram hashash etj? A nuk do ishte më “fitimprurëse” politikisht edhe për LSI, të ndërhynte psh për faljen e Nazime Vishës dhe rasteve të ngjashme…?
a.j
Add new comment