Braho tregon se çfarë bisedoi me Morinën: Ballisti duhet respektuar
Spartak Braho, i cili vizitoi dje në dhomat e paraburgimit Ismail Morinën, tha se rasti i tij duhet parë përmes rrethanave lehtësuese për disa arsye. Në një intervistë për “Panorama”, Braho, që është dhe Kryetar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, shprehet se tifozi kuqezi që ngriti dronin në stadiumin e Beogradit nuk përbën rrezik publik, edhe pse është ndaluar për armëmbajtje pa leje. Mbajtja e armës nga ana e Morinës, sipas Brahos, ka ardhur nga një gjendje e rëndë psikologjike e krijuar pas kërcënimeve që ai mori pas ngritjes së dronit dhe mosofrimit të mbrojtjes nga institucionet shtetërore.
“Ismail Morina është njeriu që në mënyrë personale dhe instiktive, i ushqyer nga ndjenja të çartura patriotike, realizoi ngritjen e dronit mbi stadiumin e Partizanit në Beograd gjatë ndeshjes së parë SerbiShqipëri. I shtyrë nga ndjenja humane dhe njerëzore, unë shkova dhe e vizitova Ismailin jo vetëm për të ndarë fitoren dhe kualifikimin e ekipit kuqezi, të cilën ai e kishte pritur me shumë dëshirë, por dhe për faktin se Ismail Morina është një shtetasshqiptar, i cili duhet respektuar për ndjenjat e tij patriotike të shprehura edhe në atë mënyrë. Por ai duhet respektuar edhe për faktin se ai, një kryefamiljar, ka lënë në mes të katër rrugëve gruan e tij italiane dhe dy fëmijët e tij me shtetësi italiane pa asnjë mjet jetese”, u shpreh Kreu i Komisionit për Sigurinë Kombëtare
Braho thotë se çështja e tij për të cilën është arrestuar Morina është nën gjykimin e organeve shqiptare të drejtësisë dhe vizita e tij nuk kishte të bënte me ndonjë ndikim në këtë çështje. “Por unë u vura në dijeni se ai prej kohësh ndihej i kërcënuar dhe nën presion të vazhdueshëm, rrethana të cilat kishin krijuar tek ai psikozën e hakmarrjes dhe psikologjikisht ishte i tronditur dhe i pasigurt që nga ngjarjet e Beogradit. Kjo ishte dhe arsyeja që megjithëse kishte kërkuar nga organet shtetërore mbrojtje, nuk i ishte siguruar ajo. Nën këtë presion ndaj një hakmarrjeje të mundshme për shkak të dronit të ngritur në Beograd, Ismail Morina mbante me vete një pistoletë të vjetër për t’u mbrojtur ndaj ndonjë sulmi që mund t’i bëhej”, tha Braho për “Panoramën”.
Add new comment