Fullani i pafajshëm, farsa e këtij vendi vazhdon

Postuar në 12 Tetor, 2015 13:55

Me logjikë juridike, pranimi i gjykimit të shkurtuar nga ana e palës së akuzuar, nënkupton pranimin e akuzave. Në rastin Ardian Fullani, procedurialisht u pranua vazhdimi i seancave me gjykim të shkurtuar, por kjo “për ekonomi gjyqësore”. Thënë ndryshe, ishte një ftesë gjykatës për t’i bërë shpejt e shpejt etapat, por jo pranim i fajit. Kësisoj, të gjithë të kënaqur. Edhe pse prokuroria kishte kërkuar pesë vite burg, Gjykata e Tiranës vendosi të shpallë të pafajshëm sot ish-Guvernatorin e Bankës qëndrore Fullani.

Edhe nëse do dënohej, për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i kërkuar nga prokuroria do zbritej, por gjykata e ka liruar plotësisht nga akuzat Fullanin. A do kërkojë Fullani të rikthehet në detyrë?

a.j

Comments

Submitted by Një Jurist (not verified) on

Për çfarë “logjike juridike” e ka fjalën A.J.-ja kur pohon që «pranimi i gjykimit të shkurtuar nga ana e palës së akuzuar, nënkupton pranimin e akuzave», sepse Kodi i Procedurës Penale (i vetmi që ka peshë në një gjykim penal, pavarësisht “logjikës juridike të A.J.-së) në nenet nga 403-406 (që trajtojnë gjykimin e shkurtuar) nuk thotë asgjë të ngjashme me atë çka pohon A.J.-ja!
Kur flasim për “gjykim të shkurtuar”, për t’a thënë shkoqur, nënkuptojmë që çështja - nëse pranohet kërkesa për këtë gjykim - gjykohet mbi gjëndjen e akteve në momentin e pranimit të kërkesës («Kur gjykata çmon se çështja mund të zgjidhet në gjendjen që janë aktet, vendos gjykimin e shkurtuar. Në të kundërtën refuzon kërkesën.» thuhet në nenin 404 , pika 1 të KPP) dhe që në rastin kur i pandehuri (është një fjalë plotkuptimtë “i pandehur” dikush që pandehet = që mendohet se mund të jetë fajtor) gjendet fajtor për akuzat e ngritura masa e dënimit ulet me një të tretën.
Thotë neni 406, pika 1 KPP «Kur jep vendim dënimi gjykata e ul dënimin me burgim ose gjobë me një të tretën. Dënimi me burgim të përjetshëm zëvendësohet me tridhjetë e pesë vjet burgim».
Ky vënd ka prodhuar dhe prodhon shumë farsa dhe qyfyre, por në këtë rast e vetmja “farsë” është ajo çka shkruan A.J.-ja që vepron si shumë “gazetarë” dhe “analistë” të tjerë që marrin përsipër të trajtojnë çështje që nuk njohin, bazuar në cilësi profesionale që nuk kanë!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.