Supozimet mbi fetë i shërbejnë intolerancës

Postuar në 07 Tetor, 2015 13:26
Besnik Sinani

Një artikull i kohëve të fundit nga Mustafa Nano (Gazeta “Shqip”) merr shkas nga disa deklarime të natyrës fetare të kryeministrit Rama gjatë vizitës së tij të fundit në New York, ku Rama, në promovimin e një modeli bashkëjetese fetare ka rrëfyer se vetë ai është katolik, e shoqja myslimane, dy fëmijë ortodoksë dhe fëmija i fundit do lihet të zgjedhë në moshë madhore. Z. Nano vë në dyshim në artikull vërtetësinë, apo qoftë mundësinë të një realiteti të tillë.

Por përpara adresimit të argumentit të z. Nano, besoj se është koha të problematizojmë deklarimet dhe referencat në rritje fetare të kryeministrit. Vajtja në Paris i shoqëruar me klerikë shqiptarë të besimeve të ndryshme, deklarime në intervista mbi cilësinë apo profilin fetar të shqiptarëve, intervista të tjera ku kërcënon se, nëse Europa nuk na birëson, atëherë shqiptarët njëfarësoj rrezikojnë të përqafojnë ISIS, janë sa të sforcuara, po aq absurde – si kjo e fundit e thënë në intervistën me Financial Times. Ky pompozitet i panevojshëm fetar, për më tepër, nuk reflekton shkallën e preokupimit fetar të qytetarëve shqiptarë, që kryeministri përfaqëson. Mendoj se nuk jam i vetëm në dëshirën për të dëgjuar nga kryeministri më shumë për strategji punësimi e zhvillimi, e ca më pak për kompozitën fetare të familjes së tij. Sa për profilin tonë në sytë e Europës, besoj se institucionet europiane e kanë bërë të qartë që duan të dëgjojnë më shumë për luftën kundra korrupsionit, krimit në politikë dhe reformën në drejtësi sesa për fenë e shqiptarëve.

Por për t’u kthyer tek artikulli i z. Nano, besoj se argumenti tij duhet adresuar për disa arsye. Duke iu referuar fjalës së kryeministrit, z. Nano shkruan se një realitet i tillë nuk është i vërtetë.

‘Ne tregojmë vazhdimisht histori të tilla. Dhe të huajt, sidomos studiuesit e gazetarët, mahniten. Mirëpo, u fshehim trukun që bëjmë. U themi pra se ka me mijëra martesa mes myslimanësh e të krishterësh, dhe me këtë përcjellim idenë se në Shqipëri ndodhka një çudi (sepse çudi është), për rrjedhojë ne paskemi gjetur çelësin e harmonisë ndërfetare të përjetshme mes vedi, dhe ky çelës mund të përdoret nga të gjithë. Nuk është kështu. Kur u tregojmë histori të tilla me martesa të përziera, me ortakërira të ditëpërditshme kristiano-myslimane e me festa fetare të njërës fe, që kremtohen prej besimtarëve të të dyja feve, ne harrojmë t’u bëjmë saktësimin se asëll-asëll nuk bëhet fjalë për myslimanë e të krishterë. Janë martesa e ortakërira mes njerëzish që i përkasin një tradite të caktuar fetare, por ata vetë nuk janë besimtarë fetarë. Po të ishin besimtarë, gjëra të tilla nuk do të ndodhnin. Nuk ka se si një katolik të martohet me një mysliman që nuk beson se Jezusi ishte biri i Zotit, se Jezusi u kryqëzua etj. Për më tepër, Kurani (2:221) ua ndalon myslimanëve të martohen me jomyslimanë. Pastaj, të dyja këto fe, ndonëse kanë gjëra të përbashkëta, në thelb e përjashtojnë njëra-tjetrën. Për besimtarët, nëse njëra është e vërtetë, tjetra është një rrenë. E prandaj, për besimtarët e vërtetë është e vështirë, më saktë e pamundur, që të martohen tok.

Duhet thënë se është e vështirë të gjesh tolerantë atje ku besimi fetar është i thellë.’

Z.Nano bën një dallim midis përkatësisë në një ‘traditë’ fetare dhe përkatësisë fetare dhe ngulmon se praktika fetare, vajtja në tempujt fetarë duhet të shërbejë si test, një test ama që nuk e obligojnë as dogmat fetare. Ai vazhdon duke thënë se martesat ndërfetare nga njerëz me besim të mirëfilltë fetar janë të pamundura, se Kurani ndalon martesën e muslimanëve me jomuslimanë (i referohet 2:221), se ato që konsiderohen të vërtetat e një feje detyrimisht përgënjeshtrojnë të vërtetat e feve të tjera për të konkluduar se: “Duhet thënë se është e vështirë të gjesh tolerantë atje ku besimi fetar është i thellë.”

Z.Nano është marrë shpesh me fenë në publicistikën e tij dhe marrëdhënia e fesë me realitetin social përreth shfaqet shpesh si shqetësim në shkrimet tij. Në intervista ai ka thënë se i ka studiuar fetë, se ka lexuar, ka vrarë mendjen për to. E megjithatë martesat ndër njerëz mirëfilli fetarë janë realitet në shumë vende sot, ashtu siç ka qenë edhe më parë – dhe kjo është e njohur historikisht. Z. Nano është i pasaktë në citimin nga Kurani i cili qartazi ndalon martesën e myslimanëve me politesitë, por ky ndalim nuk përfshin ‘popujt e librit’, të krishterët dhe hebrenjtë (5:5) dhe manualet e sheriatit shprehimisht u kujtojnë bashkëshortëve myslimanë se nuk u lejohet t’i ndalojnë bashkëshortet e krishtera për kryerja e sakramenteve dhe obligimeve të tjera fetare.

Ajo që do doja të adresoja ca më gjatë është pjesa ku z. Nano shkruan se të vërtetat e një feje përgënjeshtrojnë të vërtetat e feve të tjera. Në librin Jewish Theology, botuar më 1918 dhe përdorur në unionet hebraike teologjike në New York dhe Boston, Rabi Kaufmann Kohler shkruan:

‘Shpirtrat udhëheqës të judaizmit e pranuan këtë, duke shpallur fenë e krishterë dhe atë muhamedane si agjenci të Providencës Hyjnore, të besuar me misionin historik të bashkëpunimit drejt ndërtimit të Mbretërisë Mesianike, duke u përgatitur kësisoj për triumfin përfundimtar të monoteizmit të pastër në zemrat dhe jetët e gjithë njerëzve dhe kombeve të botës. Këto qëndrime, të deklaruara nga Jehuda ha Levi, Maimonides, dhe Nahmanides u përsëritën nga shumë rabinë të tjerë të ndritur të kohëve të mëvonshme. Ata vërejnë se kombet e krishtera dhe muhamedane besojnë tek i njëjti Zot dhe Shpallja e Tij njerëzimit, në unitetin e racës njerëzore, në jetën e përtejme; se ata kanë përhapur dijen për Zotin, bazuar në shkrime të shenjta, duke u bazuar në tekstin tonë…’

Nga një vizion i ngjashëm vjen edhe deklarata-ftesë ndaj të krishterëve e disa viteve më parë e dijetarëve më të njohur myslimanë me titull “Një fjalë e njëjtë midis nesh dhe jush”, ku ndër të tjera shkruhet: “Ndërkaq që Islami dhe Krishtërimi janë qartësisht dy fe të ndryshme – dhe pa kurrfarë zvogëlimi të disa prej ndryshimeve të rregullta midis tyre – është e qartë se, Dy Urdhërimet më të Mëdha përbëjnë një hapësirë të njëjtë territoresh dhe një lidhje midis Kur’anit, Teuratit dhe Dhjatës së Re. Ajo çka i paraprin Dy Urdhërimet në Teurat dhe në Dhjatën e Re, dhe ajo prej së cilës ata ngrihen, është Njëshmëria e Zotit – ka vetëm një Zot. Sepse Shema në Teurat nis (Ligji i Përtërirë 6 :4) Dëgjo, Israel, Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm! Në të njëjtën mënyrë, Jezusi a.s. thotë: (Marku 12 :29) “Ky është i pari urdhërim. ‘Dëgjo, o Israel : Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot’”. Në të njëjtën mënyrë, Zoti thotë në Kur’anin e Shenjtë: Thuaj: Ai, All-llahu është Një! /All-llahu, tek Ai mbështet çdo krijesë! (Ihlas, 112 :1-2). Kësisoj, Njëshmëria e Zotit, dashuria për Të, dhe dashuria për fqinjin formojnë një territor të njëjtë mbi të cilin Islami dhe Krishtërimi (dhe Judaizmi) janë themeluar.

Në një nga dokumentet më të rëndësishme, të dala nga Koncili i 2-të i Vatikanit, thuhet:

Kisha ka një vlerësim të lartë për myslimanët. Ata adhurojnë Zotin e vetëm, të gjallë dhe të vetëmjaftueshëm, mëshirues dhe i gjithëpushtetshëm, krijues i qiejve dhe i tokës, që iu ka folur njerëzve. Ata përpiqen t’u nënshtrohen me gjithë zemër edhe dekreteve më të fshehta të Zotit, njësoj siç edhe vetë Abrahami iu nënshtrua planit të Zotit, besimit të të cilit, feja islame i referohet me dëshirë. Ndonëse nuk e pranojnë Jezusin si Zot, gjithsesi ata e nderojnë atë si profet. Ata nderojnë, gjithashtu, edhe nënën e tij të virgjër Mari dhe ndonjëherë i luten asaj me devocion. Për më tepër, ata presin Ditën e Gjykimit dhe shpërblimin e Zotit që do të pasojë ringjalljen. Për këtë arsye, ata vlerësojnë së tepërmi jetën morale dhe adhurojnë Zotin përmes lutjes, lëmoshave dhe agjërimit.

Është e vështirë të sinkronizosh gjuhën e këtyre dokumenteve përfaqësuese të traditave teologjike të monoteizmit me shumë nga ngjarjet për të cilat mësojmë sot në lajme, por kjo do duhej të ishte e mjaftueshme për këdo që të ndalte përpara se të gjykonte, të rishqyrtonte supozimet mbi fetë. Territori i përbashkët i vlerave është më i gjerë nga sa besojmë duke gjykuar nga emisionet e lajmeve. Për këtë arsye, veçanërisht për ata që synojnë të informojnë dhe edukojnë publikun, nevojitet të shohin përtej një leximi të ngjarjeve aktuale drejt kompleksitetit të traditave fetare. Mund të na rezultonte se problemi me ata njerëz fetarë që shohim sot si promovuesit e intolerancës, është se ndoshta nuk janë mjaftueshëm fetarë, dhe se nuk e njohin mjaftueshëm traditën e tyre fetare, mësimet e fesë së tyre. Mund të rezultojë se pas petkut të tyre fetar ata përfaqësojnë një realitet politik përtej-fetar.

Një i ri mysliman nga Britania, i cili iu bashkua kohët e fundit ISIS, kishte vendosur të mësonte për fenë e tij përpara se të nisej për në Siri dhe kish porositur në Amazon.com librin ‘Islam for dummies.’ Një nga teologët më të rëndësishëm myslimanë sot, Sheh Abdullah bin Bejah, ndoshta ka të drejtë kur thotë: “Ata po bëjnë çfarë po bëjnë për shkak të injorancës së tyre fetare”; Z. Nano ka plot ilustrime nga bota përreth për të pretenduar se ‘është e vështirë të gjesh tolerantë atje ku besimi fetar është i thellë.’ Por zërat më të urtë të traditave fetare, të thelluar në tekstet e shenjta, na thonë të kundërtën.

Z.Nano konkludon duke shkruar: “Doni t’i vini minat kombit? Bëhuni besimtarë të zellshëm. Në fakt, e njëjta vlen edhe për botën. Sigurisht, bëhet mirë që i mëshohet respektit e tolerancës që besimet e ndryshme duhet të demonstrojnë ndaj njëri-tjetrit, sidomos në shoqëritë multifetare, por paqja ka për të ardhur më së shumti nga minimizimi i rolit të feve në shoqëri…” Personalisht e kam të vështirë të besoj se si mund të ngrihet ky argument kur në kujtesën e freskët shqiptare, vënia e vërtetë e minave kombit dhe minimizimi i rolit të fesë (maksimalisht) në historinë e Shqipërisë janë pjesë e të njëjtit realitet – komunizmit. E megjithatë, z. Nano nuk është i vetëm në frikën për rolin eksploziv të fesë dhe është në të drejtën e tij të mendojë kësisoj. Por së paku, le të përpiqemi për një debat më të informuar mbi fetë.

"Mapo"

Comments

Submitted by arnaut (not verified) on

Edhe mua me bezdisi deklarata e Nanos se me besimtare te zellshem nuk mund te kete tolerance. Ky eshte nje argument i gabuar dhe i rrezikshem i cili presupozon se zelli ne fe kthehet vetem ne dhune e perjashtim te tjetrit...

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

E keqja me e madhe e Pallhanes Edvin Rama eshte se kujton se eshte filozof, po nuk eshte vecse nje llafazan i rendomte kafenesh, kujton se eshte piktor, por nuk eshte vecse zhgarravites me bojra, kujton se eshte politikan, por nuk eshte vecse spekulant-hajdut, kujton se eshte kryeminister i persosur, por nuk eshte vecse kryeminister i perdale. Po, per fat te keq eshte kryeminister i Shqiperise fatkeqe, qe si per cudi te gjithe ata qe e kane drejtuar kane qene paranoiake, psikopate, delirante dhe narcisiste te pandreqshem.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.