Masa të rrepta për ndeshjen Shqipëri-Serbi: Pala shqiptare siguron edhe se shiu do të pushojë në 90 minutat e lojës. Pala serbe ndalon blerjen e bollokumeve
Ndeshja me Serbinë është kthyer në një mani shtetërore që po arrin absurdin. Pas arrestimit të Ismail Morinës, njeriu i shpallur hero, kanë mbërritur kërcënimet e para. “News24” njofton se emaile të shumta kanë mësyrë ku njoftohet se grupe të tilla si “Brigadat e Kuqe”, “Njësitet” etj., gjithë emra filmash dhe grafitesh po shatntazhojnë se nëse Morina nuk lëshohet Tirana do të skuqet. Nuk dihet çfarë kanë ndërmend, por ideali, kësaj radhe për Ballistin, është me të vërtetë shqetësues. Shyqyr që sot telefonia është mobile dhe punon me wifi, se me siguri do të kishin prerë telat e telefonisë. Nga ana tjetër, perlën e ofron shërbimi meteorologjik: “Dita do të nisë me vranësira të dendura si dhe reshje shiu të cilat do të jenë të herëpashershme por me intensitet të ulet deri në mesatare. Pjesa e dytë e ditës do të ketë një përmirësim të konditave meteorologjike . Në pjesën e dytë të ditës presim një përmirësim të konditave meteorologjike. Edhe pse vranësirat do të mbeten prezente si në Tiranë dhe në Elbasan pretendojmë që pas orës 18.00 reshjet e shiut të mbeten të lokalizuara dhe në orën 21.00 kur do të zhvillohet ndeshja moti do të ketë prezencë të vranësirave, por pa praninë e fenomeneve”, tha Rudina Zaçe e Shërbimit Meteorogjik Ushtarak për “Top-Channel”. Mendohet se moti është disiplinuar me ndihmën e “HAARP”, por lajmi mbahet i fshehtë, pasi serbët ushqejnë një seri teorish konspirative që lidhen me “HAARP” për përmbytjet e vitit të fundit.
Mësohet po ashtu se shërbimi sekret serb ka shpërndarë një qarkore të titulluar “Dushanka” me të cilën udhëzon lojtarët e kombëtares së vet që në asnjë mënyrë të mos blejnë bollokume në Elbasan, pasi përveç helmimit të mundshëm, ky akt do të ishte tërthorazi një lojë e shqiptarëve për të provokuar ortodoksinë serbe: bollokumet jepen për Ditën e Verës, një festë pagane. Të dhëna të tjera flasin për një plan të lëshimit të banerit Autoctonous me balonë dhe nga një raport që Shërbimi Serb i ka përcjellë Federatës Serbe, mendohet që të ketë gisht edhe Digitalb, sponsori zyrtar i kombëtares shqiptare.
Add new comment