Ankesa e Gjinushit dhe pakti për të mos prekur Berishën

Postuar në 07 Tetor, 2015 00:56

Kryetari socialdemokrat Skënder Gjinushi ka shprehur sot zhgënjimin se ka një pakt mes Ramës e Metës për të mos prekur ish-kryeministrin Berisha. “Jo vetëm si kërkon dot llogari Berishës, por ai të kërkon.

Heshtazi është pranuar dhe nga Rama dhe nga Meta, të cilët i thonë fol sa të duash, mirëpo kjo krijon një imunitet për të gjithë çfarë ka ai mbrapa”, u shpreh Gjinushi për Report TV. Në këndvështrimin e Gjinushit, sa i përket nevojës për ndryshime në qeveri, këtë nuk mund ta kërkojë veç LSI-ja për ministrat e PS-së, pasi “po të jetë për impulse të reja, rrugët duan impuls. Drejtësia p.sh është më e gozhduara për specifikën që ka, sepse është në konlfikt me KLD dhe janë bërë të papajtueshme”, duke përmendur kështu dy ministri të LSI-së.

Për të mbetur tek pakti për mosgoditjen e Berishës, duhet thënë se Gjinushi duhet të dijë diçka më tepër. Berisha mori një pakt të ngjashëm, me sa treguan ngjarjet më pas, edhe në vitin 1997, kur Gjinushi ishte ndër protagonistët kryesorë të skakierës politike. Një pakt analog fitoi edhe Nano kur u largua nga pushteti; e përse mos ta kishte sërish Berisha një garanci paprekshmërie tetë vite pas tij? Kjo, për një arsye të thjeshtë: Që edhe qeveritarët e sotëm ta kenë një të tillë më vonë...

a.j

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.