Edhe OSBE paralajmëron: Disa gjyqtarë do të shkojnë në burg
Sistemi i drejtësisë, ashtu si karriera në drejtësi, është udhëtim. Në vendin tim, në Mbretërinë e Bashkuar, sapo festuam përvjetorin e 800-të të një prej gurëve të themelit më të rëndësishëm në sistemin tonë të drejtësisë. Dhe ne vazhdojmë të bëjmë reforma. Kështu që mos u shqetësoni nëse reforma në drejtësi nuk përfundon deri në fund të vitit në Shqipëri. Është më e rëndësishme që puna të bëhet me cilësi sesa me ngut.
Reforma e suksesshme në drejtësi është, as më shumë dhe as më pak, stabiliteti dhe qëndrueshmëria e këtij vendi në të ardhmen. Suksesi i saj nuk do të vendoset nga ligjet në letër, por nga përvojat e përditshme të qytetarëve në sallat e gjyqit anembanë Shqipërisë. Ju që diplomoheni sot po bëheni pararojë e të ardhmes së vendit tuaj. E dimë të gjithë që paanshmëria është cilësia thelbësore e një gjyqtari. Por, aktualisht, në Shqipëri po zhvillohet një diskutim më i gjerë se çdo çështje që do të gjykoni ndonjëherë dhe për të cilin është e pamundur të jesh i paanshëm.
Ky diskutim është një përballje ndërmjet integritetit dhe korrupsionit. Në këtë diskutim, nuk ka paanshmëri: nuk mund të qëndroni mënjanë dhe të thoni “kjo nuk është beteja ime”. Duhet të mbani anë. Po të zgjidhni njërën anë me siguri do të keni disa përftime afatshkurtra tërheqëse, si individ i vetmuar. Por kjo do t’ju shkatërrojë reputacionin, integritetin e sallës tuaj të gjyqit, punën tuaj, besimin e qytetarëve tek vendi i tyre dhe, në fund, do të shkatërrojë reputacionin e vendit dhe vetë vendin. Duhet të vendosni: sa vlen kjo për ju?
Reforma në drejtësi po merr formë në detaje. Do të këtë vlerësime për Gjyqtarët. Ata që dështojnë do të humbasin karrierën dhe reputacionin. Disa do të shkojnë në burg.
Për ata që zgjedhin anën e duhur në këtë përballje midis integritetit dhe korrupsionit shpërblimi do të jetë i madh dhe afatgjatë. Në një sistem të drejtë suksesi juaj fitohet përmes talentit juaj, jo përmes parave që njëri i paguan tjetrit. Më të mirët mesh jush mund të përparojnë me shpejtësi. Profesioni juaj do të ketë më në fund prestigjin që gëzon në vende të tjera. Investitorët e huaj do të duan të vinë në Shqipëri. Qytetarët tuaj do të kenë një vend tek i cili besojnë dhe do t’ju shohin juve si rojtarë të tij. Sa vlen kjo për ju?
Si gjyqtarë dhe prokurorë të ardhshëm ju inkurajoj të tregoni interes për çfarë ndodh në Kuvend dhe të luani rolin tuaj. Ngjarjet në Kuvend do të ndikojnë tek ju dhe ju, gjithashtu, duhet të ndikoni tek to.
Kontributi juaj më i qëndrueshëm për shoqërinë juaj do të ishte ndihma për krijimin dhe mbrojtjen e kulturës së shtetit të së drejtës. Nëse kjo kulturë mungon, mungon edhe besimi i shoqërisë dhe pa besim nuk ka shoqëri, as vend. Me krijimin dhe mbrojtjen e kulturës së shtetit të së drejtës, ju siguroni progresin dhe integrimin e vendit tuaj.
Keni zgjedhur drejtësinë si profesion në një çast kritik në historinë e vendit. Zgjedhja juaj ju vë përpara përgjegjësive dhe mundësive të mëdha. Duke nisur këtë profesion në këtë çast kritik keni mundësinë – unike për brezin juaj – t’i japë formë të ardhmes. Jeni ju që vendosni nëse ky vend do të dështojë apo nëse do të ketë sukses.
Ju përgëzoj që keni marrë këtë përgjegjësi dhe dua të bashkohem me ju në kremtimin e kësaj mundësie. Jam krenar që OSBE-ja ka qenë aktive në prapavijë në mbështetje të Shkollës së Magjistraturës dhe mbetet aktive në çdo nivel të sektorit të drejtësisë, nga diskutimet strategjike për reformën deri tek puna jonë për të ndihmuar gjyqtarë individualë në sallë gjyqi individualë, që të japin drejtësi në mënyrë më efikase. Mirëpres partneritetin tonë në vijim me të gjithë ju.
Le t’ia nisim duke kremtuar diplomimin tuaj nga Shkolla e Magjistraturës: ju përgëzoj dhe uroj që vendimet tuaja të jenë gjithmonë të mençura.
*Fjala e zëvendëskryetarit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton i cili mori pjesë sot në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Shkollës së Magjistraturës dhe nisjes së vitit të ri akademik.
Add new comment