Nuk duam arrestime, por ktheni paratë!

Postuar në 01 Tetor, 2015 11:21
Eva Kushova

Ju kujtohet kur u arrestua guvernatori? Pati shumë duartrokitje në mediat sociale: më në fund një arrestim i bujshëm. Pas ca kohe pamë dhe lirimin e pabujshëm të guvernatorit. Çështja u mbyll. Por la një pyetje të hapur: Ku shkuan 700 milionë lekë? Kush po i gëzon?

Nëse një hajdut të merr portofolin dhe ti e kap, çfarë do t’i thuash? Më jep portofolin dhe ik, nuk të denoncoj dhe as do merrem me ty… Çështja mbyllet. Kaq ftohtë duhet të trajtohet vjedhja e miliona eurove në kurriz të shqiptarëve, përfshirë edhe çështjen e shekullit, CEZ. Kjo, sepse situata ekonomike ka arritur aty ku nuk mban më dhe arrestimet nuk “pinë ujë” në këtë vend, ku s’ka sistem korrekt gjyqësor. Ka ardhur koha që shqiptarët të mos gënjehen me një “show në ekran” e me një lugë të zbrazur. Nuk na intereson nëse arrestohen politikanë sot, e nxirren pas ca ditësh, duke paguar euro të vjedhura, për të shkuar të qetë, e për të shijuar pasuritë e tyre të pamerituara. I bën “babai” dy muaj burg me qejf që fëmijëve të mos u prishet rehati, që vilat të mos preken, që orët “Rolex” të vazhdojnë të shkëlqejnë nëpër duar. Është e padrejtë, e pandershme që miliona euro të shkojnë në duart e një grushti njerëzish, e qytetarët të vuajnë ende për bukë, ujë, drita, rrugë, shkolla e spitale. Mendoni sikur ato para të ishin investuar për këto kushte minimale që ende shqiptarët e thjeshtë nuk po i gëzojnë.

Media jonë investigative, aq e paktë sa ka mbetur, duhet t’u shkojë deri në vijën fundore çështjeve VIP, që po gëlojnë kohët e fundit. Mos i arrestoni zotërinjtë. Duam vetëm të kthejnë paratë në buxhetin e shtetit. Nuk ka burg dhe dënim më të madh, nëse hajdutëve u konfiskon gjithë pasurinë e pamerituar: vila, makina, pasuri offshore, gjithçka e marrë padrejtësisht. T’u merren dhe të lihen me aq pasuri sa kishin përpara se t’i hynin politikës dhe punëve të pista. Ta kuptojnë ç’do të thotë të jetosh si gjithë pjesa tjetër e popullsisë, që nëse punon me ndershmëri një jetë të tërë, maksimumi mund të kursejë aq sa të blejë një strehë të vogël.

Ditët e fundit, media po çoroditet me lloj-lloj lajmesh për komplote, për dorë të zezë futur andej e këndej, për kaseta, regjistrime, koalicione të fshehta, afera seksi etj. Por këtij populli prapaskenat politike nuk i duhen më. Nuk jemi më në atë gjendje si dikur, kur një militante e Beratit thoshte: rrimë pa bukë e pa drita, vetëm ju politikanë mos u zini. Vrafshin veten! Nuk duam të dimë as se kush është Ismailaj e gruaja e tij, ç’bëri Doshi, Bami apo me cilën shkon Prifti, e as çfarë fshihet në “çantën e zezë”. Të gjitha këto bëhen për t’u hedhur hi syve, për të çoroditur shqiptarët, me qëllimin e vetëm që vetëm e vërteta fundore – destinacioni i parave – të mos zbulohet kurrë.

Por ne duam vetëm këtë të fundit. Duam që çështja CEZ, e ngritur fatmirësisht jashtë kufijve tanë, të zbardhet deri në fund, dhe mbi të gjitha, paratë e ryshfetit t’i kthehen arkës së shtetit. Mos prisni arrestime për këtë çështje, ku i kanë ndyrë duart të gjithë. Nëse do bëhen arrestime ndonjëherë, i bie të arrestohet gjysma e politikanëve që kemi sot. Ata do bëjnë çmos ta mbrojnë njëri-tjetrin se janë në të njëjtën barkë. Veç kësaj me arrestimet, qytetaret s’fitojnë asgjë, vetëm se bëjmë disa të pasur të rinj: avokatët e gjyqtarët, të cilët do të ngopen me para, vetëm që t’i nxjerrin të pafajshëm ‘zotërinjtë e korrupsionit’.

Ndaj, errësimin e kësaj afere ku janë në lojë miliona lekë të shqiptarëve s’duhet ta lejojnë mediat serioze dhe as ndërkombëtarët që e kanë më të qartë se ne, se çfarë po ndodh në këtë vend. Fokusi i kësaj çështjeje “korrupsioni galopant” duhet të jetë vetëm destinacioni i parave. Deri në qindarkën e fundit të kthehen në arkën e shtetit. Kështu lehtësohet një barrë dhe qytetarët e thjeshtë nuk do mbingarkohen nga taksidarët e radhës për të dorëzuar në shtet dhe atë pak fitim të nxjerrë me mund e djersë.

Nëse konfiskohen paratë e pushtetarëve, atyre që janë tani në qeverisje dhe atyre që ikën duke vjedhur gjithçka, Shqipëria mund të bëhet. Paratë janë këtu, vetëm se janë ndarë pandershmërisht. Hajdutët ua rrëmbyen më të ndershmëve dhe të pafajshmëve “sy për sy”. Nëse u konfiskohen paratë hajdutëve, trafikantëve, evazorëve të mëdhenj, ky vend mund të marrë frymë e të zhvillohet, se të tjerat shqiptarët janë mësuar t’i falin.

"Shqip" 

Comments

Submitted by Fieraku 71 (not verified) on

Ku jeton kjo?Enveri ka sekuestruar

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.