Dëshmia e Vojsava Ismailajt: Pata presion nga shteti
Thuajse një orë ka zgjatur dëshmia e bashkëshortes së Kastriot Ismailajt në Policinë e Tiranës. Sektori i Antikorrupsionit në Policinë e Tiranës filloi dje marrjen në pyetje të personave, emrat e të cilëve ishin përmendur në letrën që Spartak Braho u dërgoi krerëve të shtetit. Gjatë dëshmisë së saj në Policinë e Tiranës, Vojsava Ismailaj shoqërohej nga avokati Vladimir Meçi. Ajo u fut në ambientet e Policisë rreth orës 16:30 dhe doli rreth një orë më pas. Sipas të përditshmes “Panoranma” burime nga Policia konfirmuan se Vojsava Ismailaj ka mohuar pretendimet se ndaj saj po bëhen presione nga deputeti Tom Doshi dhe ishministri i Energjetikës Dritan Prifti, që bashkëshorti i saj të dëshmojë kundër Ilir Metës në procesin gjyqësor mes DIAs dhe OSHEEsë. Sipas “Panoramës” ajo pranoi se e njeh prej vitesh deputetin Tom Doshi, ndërsa ka dëshmuar se presionet ndaj saj kanë ardhur nga segmente shtetërore. Vojsava u pyet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës nga një oficer i Antikorrupsionit.
Add new comment