Zbythja e dytë publike e Bashës në përballjen me Berishën

Postuar në 30 Shtator, 2015 15:57

Në mes të korrikut, kur ethet elektorale të qershorit ishin fashitur dhe shqiptarët e thjeshtë i ishin kthyer halleve/qejfeve të tyre të beharit, Fatmir Mediu, nëpërmjet një interviste ekskluzive për gazetën MAPO, hodhi në tregun politik një ide tronditëse. Ai sugjeroi një marrveshje mes PS-së e PD-së, për të kryer reformat e mëdha kushtetuese me konsensus dhe për të ndryshuar kodin zgjedhor në mënyrë të tillë, që do ta bënte të padomosdoshme LSI-në për krijimin e qeverisë pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Pak më vonë, kësaj silure tronditëse të Mediut iu përgjigj Fahri Balliu me një kundërsilurë, edhe ai me një intervistë ekskluzive në gazetën MAPO. Në vend të një marrëveshje PD-PS, Balliu sugjeroi një marrëveshje PD-LSI, e cila do ta nxirrte PS-në që sot në opozitë.  “Nëse interesi kombëtar e kërkon, çdo lloj koalicioni pa hezitim që duhet bërë. Sepse interesi kombëtar është interesi i qeverisjes së kombit. Ajo [marrveshja PD-LSI] është krejt normale”, deklaroi ai në intervistë. Njësoj siç kishte deklaruar Berisha në 2009-ën, për të justifikuar koalicionin që bëri atëherë me Metën.

Kjo përplasje surrugato (surrugato këtu është përdorur në kuptimin që përdoret kur kafeja e elbit zëvendëson kafenë e vërtetë) nuk ishte e para mes këtyre dy personazheve. Ata ishin përplasur edhe për kandidaturën e Durrësit, ku Mediu loboi për Agron Dukën dhe Balliu për Grida Dumën. Siç u pa qartë në atë përplasje, pas kadidaturës së Dukës qendronte Lulzim Basha dhe pas kandidaturës së Dumës qendronte Berisha. Dhe siç dihet, ajo përplasje u fitua nga ky i fundit, edhe pse sondazhet e brendshme tregonin që Duka kishte gjasa më të mira se Duma në garën për bashkinë e Durrësit.

Me pak fjalë, Berisha demonstroi se nuk ishte ende gati t’ia lëshonte shkopin e stafetës Bashës – të krijohej idea se ai deshte ta zgjaste edhe ca atë periudhën kur dy vrapuesit në një stafetë vrapojnë përkrah njëri-tjetrit për të bërë ndërrimin e shkopit nga njëra dorë në tjetrën.

Dhe dje Berisha e ritheksoi edhe më fort këtë mesazh, kur në konferencën e tij për shtyp ai la të kuptohej se ishte më i prirur për një marrveshje PD-LSI (që e kishte nxjerrë më parë në treg Balliu) se sa për një marrëveshje PD-PS (që e kishte nxjerrë më parë në treg Mediu).

Dhe Basha, pasi ishin mbjellë në media gjysëm-lajme për një takim të tij me një personalitet perëndimor që i kishte sugjeruar marrëveshjen PD-PS dhe pasi kishte sulmuar në mënyrë të përqëndruar për disa muaj kryesisht Metën, sot ndërroi qëndrim. Në mbledhjen e grupit parlamentar ai përsëriti pothuaj fjalë për fjalë akuzat që Berisha bëri dje ndaj Ramës, duke e silururar vetëm kalimthi Metën.

Gjë që tregon se bashkjetesa e Bashës me Berishën në krye të PD-së nuk do të jetë si ai 10-metërshi i stafetës, gjatë të cilit dy atletët vrapojnë përkrah njëri-tjetrit, për të bërë ndërrimin e shkopit nga njëra dorë në tjetrën.  Ajo duket se do të jetë si një martesë në të cilën dy bashkëshortët janë të detyruar të rrinë bashkë me njëri-tjetrin, për shkak të interesave që vetëm ata i dinë.

Dhe me sa duket, e njëjta situatë do të mbizotërojë tani e tutje edhe tek dyshja Rama-Meta. Të paktën deri në 2017-ën…

E.Zaloshnja

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.