Igli Totozani: Ka më shumë varfëri se dy vjet më parë
Avokati i Popullit Igli Totozani ka folur në një intervistë për gazetarin Roland Qafoku, ku ka përgënjeshtruar në mëse një rast qëndrimet dhe deklaratat e kryeministrit Rama. Sipas Totozanit, Shqipëria këto dy vjet nuk ka pësuar ndonjë përmirësim të dukshëm, por ka vështirësi të mëdha të cilat nuk janë krijuar sot, por janë të shtrira në kohë. “Ka qytete që kanë vetëm një orë ujë në ditë dhe ky nuk është problem i qeverisë së majtë apo i qeverisë së djathtë. Mendoj se shqiptarët nuk jetojnë më mirë se dy vjet më parë”. Madje sipas Avokatit të Popullit, “Konstatohet që ka një shtim të varfërisë. Besoj që ka një shtim edhe të papunësisë, sidomos në zonat rurale. Kjo u ka hequr shpresën shqiptarëve, duke i detyruar të largohen nga Shqipëria”. Largimet e shqiptarëve, sipas tij, nuk janë nisur nga Greqia siç deklaroi kryeministri: “Nuk më rezulton kjo. Ne kemi pasur indikacionet tona dhe për ne ky lloj emigrimi ka qenë i parashikuar. Herë pas herë kemi pasur raporte të cilat i kemi bërë prezente institucioneve në të cilat vihej re një shtim i numrit të të varfërve dhe njerëzve me probleme”.
Add new comment