Artet e “Perëndisë së Luftës” që nxisin të rinjtë të tejkalojnë limitet fizike

Postuar në 29 Shtator, 2015 16:35
Ilir Sinanaj

Kultura e stërvitjes fizike është e munguar në vendin tonë, e megjithatë kohët e fundit shumë persona po i drejtohen palestrave. Tek të rinjtë ka filluar të jetë në modë praktikimi i arteve luftarake, të cilat variojnë në disiplina të ndryshme sportive.

Disiplina sportive, e cila së fundmi ka një përhapje të madhe në botë dhe po tërheq gjithmonë e më shumë të apsionuar, qoftë si ndjekës të përballjeve ndër sportistë, qoftë nga ana e parktimit, duke filluar nga niveli amator e deri në nivel profesinal, është pikërisht ajo disiplinë sportive e quajtur Arte Luftarake të Përziera (Mixed Martial Arts në anglisht ose shkurt MMA). Tashmë, sidomos moshat e reja, kanë filluar të tregojnë një interes të veçantë për MMA-në.
Arbër Bejkosala, një i ri shqiptar, i cili ka mbaruar Akademinë e Arteve, së bashku me një të ri italian, Elio Caiaffa, i cili vazhdon studimet për mjekësi këtu në vendin tonë, kalojnë një pjesë të rëndësishme të kohës së tyre duke u stërvitur për të përsosur aftësitë e tyre fizike dhe taktike në disiplinën e MMA-së. Por jo vetëm, ata kanë dëshirë, dhe gjithashtu janë duke punuar drejt këtij projekti, për të organizuar në Shqipëri për herë të parë ndeshje të federurara ndër sportistë ndërkombëtarë që specializohen në MMA.

Teknika e epërme e dyluftimit

Nuk ka shumë kohë që MMA-ja është bërë e njohur për shqiptarët e sidomos për të rinjtë. Kështu shprehet Arbëri përsa i përket kontaktit të këtij sporti në vendin tonë. “Të rinjve i është prezantuar MMA-ja nga mediat e huaja. Në MMA mund të specializohen të gjithë ato sportistë që kanë një pwrgatitje të mirë fizike si edhe njohuri taktike në disiplina të ndryshme sportive luftarake si karateja, boksi tajlandez, xhuxhitsu brazilian etj”, - thotë ai
Më tej Arbëri shpjegon se nga ndryshon MMA-ja nga disiplinat, le të themi tradicionale, sportive luftarake. “Ashtu siç ka edhe emrin MMA (Arte Luftarake tw Përziera), kjo disiplinë përmban në vetvete karakteristikat e një shumëllojshmërie sportesh luftarake. Por nga ana tjetër, në këtë mënyrë se si MMA-ja është konceptuar në përgatitjen taktike, nevojitet një trajnim i specializuar. Kjo do të thotë se nëse pika më e fortë e një sportisti që praktikon MMA janë teknikat luftarake të përdoruara në boks tajlandez, trajnimi i sportistit në fjalë shkon përtej një trajnimi thjesht të boksit tajlandez. Kjo për faktin se MMA-ja ka më shumë elemëntë se disiplina sportive e bosksit tajlandez, dhe një ndër to është kapja (apo grappling që nuk ekziston në boksin tajlandez). Me pak fjalë, shumëllojshmëria e ndërthurjes së teknikave të sporteve të ndryshme luftarake, e vë një sportist që praktikon MMA-në, përpara një nevoje për një shumëllojshmëri teknikash të ndryshme mbrojtjesh dhe përgatjeje fizike, duke e bërë atë të veçantë nga çdo disiplinë sportive luftarake”, - shpjegon ai.

Disiplina për të qenë i shëndetshëm

Në të kundërt të asaj që mendohet gjërësisht, stërvitja për të pasur një trup të shëndetshëm dhe për të përmirësuar parametrat fizike, nuk përmblidhet vetëm me veprimtarinë në palestër. Arbëri flet se si një sportist, që dëshiron të arrijë rezultate në praktikimin e MMA-së, duhet të jetë jo vetëm fizikisht i përkushtuar por gjithashtu edhe psikologjikisht, gjatë veprimtarisë së vet ditore. “Çdo sport në thelbin e vet, në këtë rast displina sportive e MMA-së, nxisin një formë disipline tek praktikuesit. Kjo fillon që nga zgjimi në mëngjes e deri tek programi stërvitor, duke dhënë maksimumun, për të përmirësuar vetveten. Gjithashtu nevojitet që t'i përmbahesh një plani me objektiva të detajuara për sa i përket përmirësimit të parametrave fizike dhe teknikave të dylyftimit. Dhe kjo kërkon një disiplinë të fortë. Një tjetër aspekt rëndësishëm i stërvitjes është edhe mënyra e të ushqyerit, e cila duhet të ndërthuret me stërvitjen. Sigurisht një sportist i nivelit të lartë duhet jetë shumë i kujdeshëm në veprimtarinë e tij të përditshme për të qenë në nivelet e duhura të sfidave të MMA-së. Por nga tjetër, këto janë gjëra, që çdokush mund t'i zbatojë dhe nga të cilat ke vetëm përfitime”, - thekson ai.

CrossFit

Një nga llojet e stërvitjes që mundëson përgatitjen më efikase fizike për praktikimin e MMA-së është ajo lloj stërvitje, që quhet CrossFit. Edhe kjo lloj stërvitje është pak e njohur për publikun e gjerë. Elio shpjegon atë. “CrossFit-i është një lloj stërvitje, që ndërmerret për një qëllim të caktuar në lidhje me përmirësimin e karateristikave të gjëndjes fizike të trupit apo në lidhje me një disiplinë të caktuar sportive. Ndryshimi midis stërvitjes tradicionale, nëse mund të shprehemi kështu, dhe CrossFit-it është se gjatë praktikimit të kësaj stërvitje ke një konkurrencë të vazhdueshëm me të tjerët dhe veten tënde. Për më tepër ushtrimet për CrossFit-in kanë një variacion të vazhdueshëm, kështu që nuk mërzitesh pasi nuk ka ushtrime që përsëriten. Po kështu ushtrimet janë të atilla që vënë në livizje të gjithë muskujt e trupit”, - thotë ai.

Por cilat janë avantazhet e CrossFit-it? “Avantazhet që ka CrossFit-i është fakti se ke një stërvitje të vazhueshme të përditshme, që nuk të lodh dhe nuk të bën të ndihesh keq. Gjithashtu ushtrimet mund të bëhen kryesisht pa nevojën e girave. Kështu CrossFit-i mund të përdoret qoftë për të mbajtur trupin në formë, qoftë për t'iu përshtatur më shumë një disipline të caktuar sportive”, - thekson Elio.

Projektet e mëtejshme

Elio i është përkushtuar MMA-së në nivele profesionale dhe ndërkombëtare. Ai filloi të praktikonte MMA-në para 5 viteve në Itali. Gjatë 3 viteve Elio garoi në kategorinë gjysmë-profesionale dhe amatore, ku edhe fitoi disa kampionate në Itali në nivelin amator. Ndërkaq, 2 vitet e fundit ka garuar si profesionist në kampionate si në Itali ashtu edhe në ato ndërkombëtare, duke korrur disa fitore. Tashmë Elio stërvitet në Shqipëri, duke u përgatitur për ndeshje të niveleve ndërkombëtare. “Stërvitja ime këtu shkon mirë. Kjo edhe sepse më ndjek trajnieri im nga Italia. Edhe me Arbërin stërvitem shpesh. Kam gjetur këtu persona shumë të aftë me të cilët mund të stërvitem. Dua t'i përkushtohem këtij sporti, duke marrë pjesë në ndeshje në mbarë Evropën”, - nënvizon Elio.

Ndeshjet ndërkombëtare

Aktualisht në Shqipëri nuk janë organizuar ndeshje ndërkombëtare të MMA-së. Pavarësisht vështirësive që paraqet organizimi i një kompeticioni të MMA-së i federuar ndërkombëatarisht, Arbëri dhe Elio janë optimist se një gjë e tillë mund të arrihet në Shqipëri.. Dhe për këtë Elio ka shprehur i vendosur: "Dua të punoj për të krijuar një aktivitet të federuar ndërkombëtar këtu në Shqipëri!”
Jo vetëm djemtë

Imazhi i cunguar që mund të kemi për praktimin e MMA-së, kufizohet tek djemtë. Por kjo nuk është e vërtetë. Tashmë edhe vajzat kanë filluar të tregojnë interes për këtë. Kristi dhe Nikol Andoni janë dy motra, të cilat kanë treguar interes të veçantë për MMA-në dhe stërviten rregullisht. “Kryesisht këtë sport e praktikoj për pasion, por edhe për të mbajtur trupin në formë. Gjithashtu është i mirë edhe për vetëmbrojtje”, - shprehet Nikola. Për Kristin praktimi i vazhdueshëm i sportit lidhet edhe me një regjim që i “imponohet” një sportisteje. “Stërvitem 4 herë në javë. Përpos vetëmbrojtjes ky sport të ndihmon për të mbajtur një regjim të përhershëm, si në stërvitje ashtu edhe në mënyrën se si ushqehesh", - thotë ajo.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.