Ligji i ri për barnat, qeveria heq filtrin e fundit të kontrollit
Në ligjin e propozuar nga qeveria për “barnat dhe shërbimin farmaceutik” ka një moment tejet problematik që opozita e ngriti sot si shqetësim në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë. Propozimi i qeverisë kërkon të heqë kriterin e vendosur në ligjin aktual, i cili përcakton se për tregtim autorizohen "barnat e prodhuara në vendet e Ballkanit vetëm kur kanë marre autorizim për tregtim dhe qarkullojnë në vendin e tyre, si dhe në një nga vendet e BE".
Ndërkohë që në ligjin e ri qeveria heq kriterin "e rregjistrimit në vendet e BE-së", me arsyetimin se në këtë mënyrë do të futen shumë lloje ilaçesh dhe do të ulen çmimet.
Sipas kryetares së komisionit, deputetes Albana Vokshi, ndryshimi i ligjit ka frymë klienteliste dhe rrezikon rëndë cilësinë e sigurisë së medikamenteve që hyjnë në vend.
Fakti është që një hap i tillë do të hiqte një nga barrierat e fundit të sigurisë shëndetësore të mbetura ende në fuqi, pasi një ilaç i miratuar dhe kontrolluar nga një prej vendeve të BE-së, do të garantonte edhe në Shqipëri një shërbim barnash të nivelit europian. Sa për kontrollin që do të kryejnë institucionet vendase në këtë drejtim, mjaft të kujtojmë akuzat e shumta në adresë të drejtuesve të sektorit.
Add new comment