Shënim: Çfarë është duke pritur Adriatik Llalla?
Kanë mbetur edhe pak ditë për t’u mbyllur shtatori, të cilin kryeprokurori Adriatik Llalla e shpalli muajin e arrestimeve të zyrtarëve të lartë. Por deri më tani, raportet e policisë dhe prokurorisë flasin për ndalime apo arrestime të personave që akuzohen për dhunë në familje, grabitje, vjedhje, mbjellje lëndësh narkotike apo drejtim të automjetit në gjendje të dehur. Shenjat janë që edhe shtatori të mbyllet pa ndonjë arrestim të bujshëm, ndonëse duhet të presim edhe ditën e fundit sepse Adriatik Llalla mund të na suprizojë me heshtjen që e karakterizon dhe përgjigjet lakonike që jep përpara gazetarëve.
Këto ditë ai duket se po ndjek si spektator akuzat dhe kundërakuzat për aferën e CEZ që dyshohet se implikon ish-qeveritarë dhe zyrtarë të lartë të mazhorancës aktuale. Llalla duhet të ndihet më keq akoma, pas deklaratave të ish-kryetarit të kuvendit Ilir Meta dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha për një hetim ndërkombëtar të çështjes.
Këto deklarata, as më shumë as më pak, lanë të kuptohet se si Ilir Meta dhe partia e tij ashtu dhe Lulzim Basha me opozitën nga mbrapa nuk kanë më besim tek Prokuroria Shqiptare dhe kreu i saj Adriatik Llalla. Humbja e besimit duket se ka ndodhur këto muajt e fundit, pasi në çështjen “Doshi” të gjithë treguan zellin për t’u paraqitur në Prokurori.
“Dua të konfirmoj edhe njëherë përpara jush siç konfirmova edhe para prokurorëve, gatishmërinë time totale për të qenë në çdo moment, në çdo, ditë përfshirë edhe të shtunën edhe të dielën në dispozicion të prokurorisë, përveç të enjtes, sepse e kam shpallur ditën e Doktorit nuk kam çfarë të bëj, në mënyrë që të bashkëpunojmë me prokurorinë për hetimin e plotë të çështjes duke ju nënshtruar ligjit dhe vetëm në respekt të tij”-deklaronte Meta gjatë hetimit të akuzave për Doshin
Për çështjen e CEZ Meta shkoi edhe më tej duke specifikuar edhe vendin nga i do prokurorët që do hetojnë akuzat ndaj tij. Me pak fjalë Adriatik Llalla dhe Prokuroria shqiptare është nxjerrë jashtë loje si nga mazhoranca në pushtet ashtu dhe nga opozita.
Të mos harrojmë që Adriatik Llalla është zgjedhur pikërisht me votat e LSI dhe PD në seancën parlamentare të 8 Dhjetorit 2012, ku ai mori 75 votat e shumicës dhe abstenimin e ish-opozitës socialiste, ku të gjitha palët nuk i kanë kursyer vlerësimet për Lllallën si një person me integritet, madje edhe Bamir Topi që sapo kishte formuar partinë.
Por tani që ai nuk ka më besimin e palëve që e votuan dhe e sollën në krye të Prokurorisë, qëndrimi I tij në krye të këtij institucioni është i pavlefshëm. Aq më tepër që edhe shtatori po kalon pa ndonjë arrestim që mund të trondiste themelet e Republikës, siç vetë Llalla kishte paralajmëruar afro 1 vit më parë..
l.m
Add new comment