Dimë përherë të jemi ekstremistë, “Shekulli”: Zv.prokurori i Përgjithshëm të jetë i huaj
Ideja e një hetimi ndërkombëtar ka hapur një dritare të re për zhvillimin politik në Shqipëri, sa kohë që kjo e fundit është një vend që bashkëqeveriste njëfarësoj nga disa politikanë dhe disa ambasadorë. Një dritare e cila ndonëse është krijuar në kushtet e një përballjeje politike të brendshme, mund të çojë në hapjen e disa dosjeve të cilat drejtësia shqiptare nuk do t’i zbardhë. Në një opinion të vetin në gazetën “Shekulli”, opinionisti i saj, Genc Burimi, propozon madje, dhe ia adreson këtë mesazh LSI-së së Ilir Metës, që me ligj të krijohet pozicioni i zv. Prokurorit dhe se ky duhet të jetë i huaj. Më qartë: amerikan. “Ftoj Ilir Metën që mos të presë diskutimet pa fund mbi reformën e drejtësisë dhe të propozojë në parlament në emër të LSI-së një amendament të Ligjit Nr.8737 “ Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.Në këtë ligj, një amendament i LSI-së të parashikojë mundësinë e krijimit të postit të një zëvendës-prokurori të përgjithshëm me zyrën e tij, një funksion që nuk ekziston sot. Ligji të parashikojë që ky personalitet që do të jetë pikërisht hetuesi i huaj, të emërohet nga parlamenti me shumicë të thjeshtë apo të cilësuar. Kjo mënyrë ka avantazhin se anashkalon nenin 17 të ligjit në fjalë që parashikon që prokurori të jetë shtetas shqiptar dhe t’i nënshtrohet konkursit. Po ashtu ky zëvendës-prokuror të ketë, sipas ligjit, një mandat 1-vjeçar të ripërtërishëm me të njëjtin votim. Misioni i tij të jetë “ad hoc”, domethënë, që për çdo mision të tijin (për çdo hetim) t’i merret pëlqimi Parlamentit me shumicë të cilësuar. Votimi të jetë detyrimisht i hapur që shqiptarët të shohin se kush janë deputetët që kanë frikë të hetohen nga një prokuror i huaj”, shkruan Burimi. Ideja e një hetuesi të huaj është pranuar tani nga politika shqiptare, por në kuadrin e asistencës. Propozimi i Burimit shkon më tej: vesh me pushtet ekzekutiv formal një prokuror të huaj, në emër të besimit se kështu luftohet korrupsioni në nivele të larta. Ky me siguri do të ishte rasti i parë ndoshta në rajon kur eksperimentohet një gjë e tillë, përveç Kosovës, që ka specifikë tjetër. Nuk dihet se për cilën arsye paguhen gjithë këto para që të mbahet në këmbë një trupë gjyqësore apo prokurori, e cila nuk besohet se mund të bëjë punën që i është ngarkuar. Sugjerime të tilla, tingëllojnë realiste dhe sfiduese në kushtet e rrangallizimit të shtetit, por në thelb ato dëshmojnë me prova dhe fakte, në shekullin e 21-të se teza e paaftësisë shtetformuese të shqiptarëve nuk është aq dhe aq spekullim. Nuk është e rastit që pikërisht tani mazhoranca hedh idenë e një hetuesi të huaj: ndonëse ka marrë një besim si rrallë kush në këto 25 vjet, sërish kjo shumicë nuk zotëron besimin se reforma të tilla madhore mund t’i kryejë vetë. Futja në punë e termit “konsensus” është një fije bari ku kapen sipas rastit opozitat që kërkojnë garancinë reciproke për zullumet e pushtetit. Por kjo nuk vlen aspak. Një shembull është referendumi për Kushtetutën i vitit 1998. Ai u bojkotua nga PD, e cila deklaroi se nuk e njihte Kushtetutën. Koha provoi të kundërtën, madje Berisha në shumë raste kërkonte strehë te Kushtetuta.
Add new comment