Rusia do të ndërmarrë sulme ajrore në Siri edhe nëse SHBA refuzon bashkëpunimin
Siria po kthehet në një bombë më efekt aftagjatë për Perëndimin. Një vrimë e zezë ku njësi ushtarake si ISIS kanë hapësirë veprimi për çdo lloj aktiviteti. Ish-drejtori i CIA-s, David Petraeus, deklaroi para Komitetit të Forcave të Armatosura në Senat se kriza siriane ka marrë profilin e një Çernobili gjeopolitik, që “sa më gjatë të lejohet të vazhdojë aq më shumë dëm do të shkaktojë”. Ai ka shtuar se SHBA-të nuk duhet të sulmojnë Sirinë, ose nuk duhet ta shikojnë zgjidhjen përmes goditjes, por ato duhet të jenë prezentë në çdo konferencë apo vendimmarrje ndërkombëtare që merret me këtë vend. Petraeus, ka nënvizuar se rrëzimi i Bashar al Assad nuk është lëvizje e arsyeshme, nëse nuk qartësohet se çfarë do të pasojë si zgjidhje. Rasti i Irakut me Sadam Husein dhe i Libisë me Gadafin, flasin se çdo lëvizje që nuk shoqërohet me plotësim të vakuumit të pushtetit shoqërohet me kaos. Opsione si ky që sugjeron ish-drejtori i CIA-s janë një hap mbrapa në raport me atë që po vë në lëvizje një vend si Rusia. Dy ditë më parë, “Bloomberg” raportonte se Rusia do të zhvillojë goditje ajrore edhe nëse SHBA nuk pranon të bashkëpunojë. Ky është rasti i parë, që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, kur Kremlini ndërmerr aksione të njëanshme ushtarake në zona që dalin jashtë vijës së ish-BS. Rasti i Gjeorgjisë dhe Çeçenisë, janë shembuj të konfliktit dhe ndërhyrjes në një zonë të ndikimit të drejtpërdrejtë rus.
http://www.bloomberg.com/news/articles/2015-09-23/putin-said-to-plan-isl...
Add new comment