Legjitimitet, Konsensus apo vetëm Represion?
Shqipëria ndoshta është i vetmi vend anëtar i NATO-s dhe që aspiron të hyjë në BE, që de facto ka një Parlament të rrëzuar moralisht.
Kjo për shkak të deputetëve të inkriminuar mbi numrin e të cilëve është mbështetur shumica qeverisëse në Parlamentin shqiptar. Ky fenomen quhet normal nga një pjesë e deputetëve të maxhorancës, se ndryshe si do vinim në pushtet thonë ata. Pavarësisht se asnjë shqiptar nuk besoj se ka dashur të mandatojë një Parlament të këtillë, ky institucion që tashmë nuk garanton qeverisjen, porse amoralitetin e saj, vazhdon të miratojë ligje. Kush e bën këtë?
Pikërisht këta deputetë të një Parlamenti që duhet shpërndarë një orë e më parë. Shumica e deputeteve mund të mos jenë të tillë. Por kush hesht, miraton. Kush hesht dhe rri është së paku bashkëpunëtor. Ndërkohë, më kujtohet një batutë e shfaqjes teatrale denigruese për Qazim Mulletin, kur ky i fundit thotë se po të rrish në burg gjashtë muaj me komunistat bëhesh me komunist sesa ata.
Shteti e arrin të sigurojë bindjen përmes represionit, legjitimitetit dhe konsensusit. Në fakt, për sa më sipër, Parlamenti i sotëm i Shqipërisë është i delegjitimuar. Kjo sepse, e kapur në mëkat, shumica parlamentare socialiste sot është gati të miratojë çdo ligj që ia përplasin në fytyrë ata 3-4 veta që qeverisin Shqipërinë. Kjo shumicë parlamentare duket se ka zgjedhur të vazhdojë zvarritjen e vet vetëm për t’i shërbyer hedonizmit politik në krye të maxhorancës.
Ligji që miratohet nesër, që ndryshon procedurat tatimore, është shembulli tipik i këtij hedonizmi. Ai është një ligj që po miratohet pa legjitimitet dhe pa konsensus. Ai është një ligj që justifikon represionin. Ai është përgatitur nga Drejtoria e Tatimeve dhe juristët e Kryeministrisë, pa marrë parasysh as kundërshtinë e Ministrisë së Financave. Më e pakta që mund të thuhet për të është se ai është një ligj nervoz, psiqik.
Në fakt, ligjet janë njësoj të afta të garantojnë të drejtat, por dhe t’i dhunojnë ato. Ky ligj bën pikërisht këtë të dytën. Ai ka synim ngjalljen e frikës absolute te sipërmarrja shqiptare dhe ai i akuzon ata të gjithë si kundërvajtës, evazorë, kriminelë. I takon sipërmarrjes të provojë që nuk është e tillë. Shteti u ka hedhur atyre dorashkën e veprës penale.
Të gjitha qeveritë e filluara si demokratike, por që për hir të vullnetit të një a më shumë personave bëhen regjime autoritare, e kthejnë mundësinë e shoqërisë për mosbindje, për të kundërshtuar me mjete demokratike politikat arbitrare dhe autoritare të ndërmarra prej tyre në vepra penale.
E bëjnë këtë duke modifikuar ligjet, pasi posedojnë një shumicë parlamentare. Pavarësisht nëse ajo është krijuar nga elementë të inkriminuar. Siç është rasti i Shqipërisë, siç është rasti i ligjit në fjalë. Këto lloj ligjesh, të cilat mbarojnë punë shpejt me qytetarin dhe sipërmarrësin në Shqipëri, si një ekzekutim pa gjyq, për shkak të shumicës parlamentare, ka të ngjarë të shtohen edhe më në përputhje me përshkallëzimin e hedonizmit politik te kupola që udhëheq maxhorancën socialiste.
Me miratimin e këtij ligji, sistemit fiskal shqiptar të bazuar te vetëdeklarimi ndoshta po i vjen fundi. 20 vjet reforma nga të majtë e të djathtë, automatizimit të proceseve, shmangies së kontaktit fizik te subjektet, që kulmonin tek adoptimi i modeleve të riskut në ushtrimin e kontrollit tatimor të subjekteve duket se do hidhen në plehra. E gjithë kjo në favor të qasjes se inspektori tatimor është një engjëll i pagabueshëm, jo abuziv, jo arbitrar, jo selektiv, që nuk i shkon në mendje të përdorë diskrecionin e tij për të krijuar përfitim të paligjshëm nga sipërmarrja.
E gjithë kjo ndoshta me shpresën se sipërmarrja e lemerisur nga kërcënimi dhe frika, do vrapojë të nxjerrë florinjtë nga bodrumet dhe do t’i derdhë në arkën e shtetit. Në fakt, po të merret në konsideratë se cila administratë fiskale do e zbatojë këtë ligj, që synon t’ua shtrojë rrugën dyst inspektorëve tatimorë në marrëdhënien e pushtetit të tyre mbi sipërmarrjen, duket sikur aksioni kundër informalitetit më shumë se arritjen e bindjes fiskale, është një veprim për të garantuar bindje politike. Numri i dhjetëra-mijëra kontrolleve fizike është një tregues i qartë për këtë.
Dyshimi se penalizimi i krimit të dikurshëm për agjitacion e propagandë është tanimë i transpozuar në nenet e Ligjit për procedurat tatimore, ku çdo biznes i afërt me PD do shkërmoqet nën peshën e gjobave dhe të burgut, sipas humorit të inspektorit tatimor, apo direktivave që i vijnë nga zyra e Partisë Socialiste në qendër dhe në rrethe, për thyerjen, përkuljen dhe eliminimin e kundërshtarëve politikë.
Për raportin që krijon ky ligj mes inspektorit tatimor dhe sipërmarrjes, gjobave, penaliteteve dhe burgut të paralajmëruar ky është një ligj totalitar, i cili nuk ngjall besim dhe mirëbesim mes qeverisë së shqiptarëve dhe vetë shqiptarëve, porse ngjall frikë. Ndoshta të lodhur nga kompleksiteti i qeverisjes frika me ç’duket shihet si i vetmi institucion ligjor nga maxhoranca, e cila provon në mënyrë të përsëritur aksion pas aksioni, se nuk ka as më të voglën dëshirë të bashkëbisedojë me shqiptarët, por vetëm t’i urdhërojë dhe sundojë ata.
"Panorama"
Add new comment