Shënim: A sensibilizohen vërtet qytetarët nga evente si “Dita pa makina”?

Postuar në 22 Shtator, 2015 11:40

Është bërë rutinë prej vitesh të paktën në Tiranë, që momente kalendarike me sfond ekologjik si “Dita pa makina”, të shoqërohen me pamje foto e video të drejtuesve qëndrorë ose lokalë të rradhës, në rastin aktual kryebashkiaku Veliaj e kryeministri Rama, që bëjnë thirrje për të përdorur më shumë rrotat e vogla të biçikletave, këmbët apo maksimumi, transportin publik. Por janë edhe pamjet e anës tjetër të medaljes: Trafik i rënduar, makina që bëhen kapicë nëpër arterie kryesore në pritje sa të mbarojnë ceremonitë etj. Në pikëpamje të pastër ekologjike, kuptohet sesa mund të jetë pastruar ajri i Tiranës në ditë si kjo, me makina të ndezura që presin me orë për të ecur pak metra, pa llogaritur boritë, stresin dhe punët e pambaruara.

Do mbarojë dhe kjo “ditë pa makina”, që si herë të tjera ishte në fakt një ditë me makina të ngecura në trafik. A sensibilizohen vërtet qytetarët nga momente të tilla?

Së pari le të kemi parasysh se edhe për më dashamirësin e ekologjisë dhe ajrit të pastër, në ditë jave si e marta, prioritet është mbarimi i punëve të veta, i halleve të përditshmërisë. Të shumta janë ata që e kanë ditur se trafiku do ishte keq, por janë nisur me shpresë se do kalojnë në kohë dhe nuk do ngecin duke parë t’u parakalojë Veliaj me biçikletë. Të shumtë janë edhe ata që do donin t’i kryenin të gjitha punët me biçikletë, por ose e kanë pësuar nga ndonjë makinë sepse mungon korridori përkatës për çiklistët; ose ua kanë vjedhur bicikletën. Ndokujt për të disatën herë.

Ndoshta unaza e madhe do zgjidhë disa prej problemeve të trafikut për t’u lënë pak hapësirë dyrrotakëve, mbase lufta pa kompromis e policisë dhe ringritja ekonomike, do zhdukë edhe fenomenin e hajdutëve të biçikletave e kapakeve te pusetave. Por derisa të vijë kjo epokë, shumica e qytetarëve përfshirë edhe simpatizantët e Veliajt, do thonë: Mirë o Erion mirë, por mbaroje shpejt shfaqjen se nxive jetën…

a.j      

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.