Urdhri i ri i Ramës: Nëpunësit publikë që nuk marrin kuponin, ndëshkim deri në largim nga puna
Si në rastin e operacionit për energjinë elektrike, qeveria ka vendosur të ndjekë të njëjtën praktikë edhe në aksionin e shpallur të luftës kundër informalitetit në ekonomi: Ta nisë ndëshkimin nga “vetja”.
Kryeministri Edi Rama ka nxjerrë një urdhër të vlefshëm për nëpunësit shtetërorë, ku çdo nëpunës që nuk merr kuponin tatimor për çdo blerje që bën do penalizohet deri në largim nga puna.
Urdhri fillimisht i është dërguar për zbatim Ministrisë së Financave, thotë Vizion Plus, dhe më pas skema e ndjekur prej saj në zbatim do të ndiqet edhe në të gjitha institucionet e tjera shtetërore. Kështu, të gjithë nëpunësit që ushtrojnë një funksion publik në një institucion të administratës shtetërore, institucion të pavarur apo njësi të qeverisjes vendore, sipas këtij urdhri duhet të angazhohen në marrjen e masave për përmbushjen e detyrimit ligjor të marrjes së kuponit tatimor për çdo blerje ose përftim të shërbimit.
Drejtoria e Tatimeve, çdo tre muaj duhet të hartojë listën e personave që ka gjobitur për mospajisje me kuponin tatimor, ndërsa Departamenti i Administratës Publike do konstatojë nëse mes të ndëshkuarve ka apo jo nëpunës civilë.
Add new comment