Në Mynih kanë ardhur 64 mijë shqiptarë...Dhe Edi Rama
Edi Rama nuk impresionon më njeri. Shqiptarët po e braktisin shfaqjen e tij të lodhshme, me përsëritje të mëdha, me fjalë pompoze por pa gjë nga pas: një i vetëkënaqur që vetëpropozohet si i keqkuptuar. Ecejakja e tij e fundit në Gjermani, duke u sjellë si qytetar privat i një vendi që ka kapur fundi, bie në sy si akt arrogance dhe vetëizolimi nga realiteti, të cilin ky kryeministër me sa duket ka frikë ta shohë në sy. Enver Robelli e ka inkuadruar gjithë sjelljen e tij duke vënë në dukje se Edi Rama vetëm si kryeministër nuk po sillet: “Ditëve të fundit në München kanë arritur rreth 64 mijë refugjatë – dhe Edi Rama. Kryeministri i Shqipërisë erdhi për të hapur një ekspozitë me disa vizatime, shkarravina e shkraba, siç i quajti gazeta “Süddeutsche Zeitung”. Punimet, siç tregohej më tutje në artikull, ishin krijuar derisa politikani Rama po e kalonte kohën në zyrë – duke menduar për qeverisje dhe për ngjyrosje të Tiranës, duke pritur palë, duke u zemëruar dhe entuziazmuar. Nga Müncheni, Rama – natyrisht – postoi në “Facebook” një grumbull fotografish ku shihen artistë dhe kam-qejf-me-qenë-artistë, dashamirë të artit dhe adhurues të snobizmit, si dhe aktivistë kulturorë gjermanë. Muaj më parë Rama me të njëjtën ekspozitë u paraqit edhe në Berlin. “Lulëzime nga kalendari” u quajtën vizatimet e tij, sepse janë krijuar mbi fletë kalendari, notesi e fletoreje. Me këso ngjarjesh të vogla kulturore, pothuaj të papërfillshme për opinionin e madh gjerman, Rama me gjasë po përpiqet të përmirësojë imazhin e vendit të tij. Është një nismë mbase qëllimmirë, por, për fat të keq, pa ndonjë efekt të matshëm, sepse piktori që edhe si kryeministër dëshiron të jetë (vetëm) piktor, ka një detyrë tjetër të madhe: ai duhet të qeverisë. Dhe duket se qeverisja pas dy vjetësh në post e ka lodhur Edi Ramën. Slogani i dikurshëm i aleancës së majtë “Rilindje” dalëngadalë është zbehur dhe gjithnjë e më shumë po lexohet në stilin dadaist si “Lirindje””, shkruan Robelli. Mjafton kaq. Siç është zakoni, duket se ka ardhur koha e barsaletave për këtë burrë shteti që po teksa ngjyros qytete, e bojatis fleta pune, ia doli të rikthejë bardhezinë në humorin e një shoqërie të tërë.
Add new comment