Shënim: Dy standarde për stigmën “dekriminalizim”: një për politikën e një për gjyqësorin

Postuar në 17 Shtator, 2015 01:25

Dje u bë publik vendimi i qeverisë shqiptare për propozimin e projekligjit për dekriminalizimin. Përtej pikave të tij, tërheq vëmendjen përpjekja për të mos cenuar “etikën” nga ana e qeverisë. “Qeveria shqiptare miratoi në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave Projektligjin ‘Për Legjitimitetin e Personave që Zgjidhen, Emërohen ose Ushtrojnë funksione publike’.Nëpërmjet këtij Projektligji qeveria shqiptare i jep zgjidhje përfundimtare debatit të kohëve të fundit mbi të ashtuquajturin “dekriminalizim”, tha ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj. E ftuar sot në “Revistën Televizive” në “Top-Channel”, Felaj bëri këtë sqarim për titullimin e projektligjit: “Ne nuk mund të pranojmë termin dekriminalizim, sepse kjo është t’i vësh një stigmë shoqërisë. Dhe ne nuk mund të pranojmë që t’i vëmë stigmë të gjithë shoqërisë”.

Kuptimi i këtij kujdesi është se mazhoranca socialiste refuzon të bjerë në “kurthin” e opozitës me termin dekriminalizim, që implikon kriminalizimin e parlamentit apo institucioneve. Mirëpo sado që të bëhet përpjekje në këtë drejtim, kjo gjë është shumë e qartë.
Termin e përdorin edhe partnerët e huaj të qeverisë, e mbi të gjitha ai gjeneron ekzistencë të përditshme me bëmat e politikës e të deputetëve. Por do të pranohej njëfarësoj kjo “llogjikë e ftohtë” e ky kujdes i panegociueshëm për grimin e qeverisë, nëse nuk do të përdoreshin dy standarde nga vetë drejtuesi i saj. Edi Rana vërtet nuk pranon ta barazojnë me Berishën, apo ta fajësojnë për kriminalizimin e parlamentit, meqenëse këto janë përgjithësime, por ai vetë bën të tilla. Ja se çfarë ka thënë ai në qershor të këtij viti për gjyqtarët. “Në vjeshtë, Parlamenti do të kalojë reformën më të thellë në Shqipëri. Gjykatat tona janë kthyer në gagarele dhe ne do ta tundim nga themelet sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Nuk po them se do të cenohet pavarësia e sistemit. Ata maskarenj që kanë përdorur togën e zezë për t’u bërë palë me krimin do e shohin se çfarë i pret“. Një shumicë shqiptarësh ndajnë të njëjtin mendim edhe pse etika e do që të shmangen epitetete të tilla. E megjithatë bëmat e politikës janë po kaq të rënda, po kaq spektakolare e po kaq me pasoja.

Ky parlament përfaqëson nivelin më të ulët dhe më të kriminalizuar që është mandatuar ndonjëherë. Aktualizimi i temës së dekriminalizimit e provon këtë gjë, pasi çështja që ka kaq shumë muaj që po diskutohet, e që detyroi shumicën të ndërmarrë këtë nismë, nuk është artificiale, por e vërtetë, reale.

Projekligji synon një operacion të thellë, por ai duhet pranuar si fitore e publikut ndaj qeverisë, e cila drejtohet nga një kryeministër që deri pak javë më parë refuzonte të pranonte se kishte të zgjedhur me probleme dhe u tregonte shqiptarëve dëshminë e penalitetit. Këto pretendime fyese bien, sepse vetë nenet e projektligjit kanë edhe natyrë parandaluese. Edi Rama është përgjegjësi dhe frymëzuesi i listave të mbyllura, që i jep kryetarit të partisë pushtet të madh në përcaktimin e kandidatëve. Dhe kjo është një arsye shtesë që e rrit përgjegjësinë e tij. Me draftin e ri, ngjan se aleanca e krimit me politikën kufizohet, me sanksione të forta. Por njësoj si në çdo politikë dhe sipërmarrje, në themel qëndron vullneti. Pasi asgjë nuk e ndalon politikën dhe krimin që nesër të bien dakord për përfaqësues me cv të pastër e të papenalizuar, por që sërish vijnë në Parlament si shprehje e të njëjtave interesa. Nuk është e lehtë dhe kaq mekanike patjetër, por jo e pamundur. Ky hap ecën paralel me reformën në drejtësi, e cila nëse dështon edhe njëherë, do t’i bënte një dëm të jashtëzakonshëm vendit.

Comments

Submitted by kevinjon (not verified) on

Ky bastard duhet te jape doreheqjen dhe pike. fjale fajle fjale boshe.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.