Rënie e punësimit në bujqësi - faktorët
Për bujqësinë thuhet shpesh se është shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare. Me të drejtë, sepse është sektori që siguron jetesën e më shumë shqiptarëve nga çdo sektor tjetër në vend tek mbulon gjysmën e totalit të punësimit në Shqipëri. Por, shifrat e punësimit në këtë sektor duket kanë pësuar tkurrje në tremujorin e dytë të këtij viti.
Sipas Institutit të Statistikave, ky sektor ka pësuar luhatje, duke siguruar 40.5% të punësimit nga 43.2% që ishte në të njëjtën kohë një vit më parë, me një rënie prej 2.7%, ndërkohë që niveli i punësimit në vend në total ka pësuar një rritje prej 3.7 përqind.
Për shumë vite ky sektor ka mbretëruar në mënyrë supreme, duke pasur nivelin më të lartë të punësimit në vend krahasur me sektorët e tjerë, ndërkohë që në këtë tremujor të dytë shihet qartë në tkurrje e tij.
Mjafton të përmendim se në tremujorin e parë të këtij viti, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) pati një rritje prej 2.82 %, ku bujqësia pati një rritje prej 1.85% të GDP, krahasur me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shifrat flasin qartë se sektori në vetvete ka pasur rritje, por nëse ai krahasohet me totalin e PBB-së së vendit, kjo shifër nuk e ka kaluar pragun që të cilësohet si rritje, duke qenë se është më e vogël se përqindja e rritjes totale të PBB-së. Çka reflektohet edhe në uljen e nivelit të punësimit në këtë tremujor.
Sipas ekspertëve ky ngadalësim i punësimit në bujqësi i dedikohet disa faktorëve, që nga përmbytjet tek një sërë pengesash dhe vështirësish që fermerët dhe agrobizneset kanë ndeshur në eksportimin e produkteve të tyre, duke bërë që të rikonsiderojnë në një farë mase numrin e të punësuarve.
Për më tepër, sektori bujqësor ka dhe një sërë karakteristikat që e bëjnë akoma më të vështirë përcaktimin e numrit të saktë të të punësuarve.
Së pari bujqësia në Shqipëria është e dominuar nga fermat familjare, ku familjarët japin të dhëna mbi punësimin në kohë të ndryshme të vitit.
Së dyti, shumë fermerë dhe punëtorë e kanë bujqësinë si një aktivitet me kohë të pjesshme dhe kanë të ardhura të tjera si burim kryesor jetese.
Së treti, bujqësia karakterizohet nga punësimi sezonal, ku një numër i madh punonjësish mund të merren në punë për periudha relativisht të shkurtra, në varësi të ciklit të punës.
Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, shumë ekspertë të bujqësisë e vënë theksin gjithashtu tek fakti se rritja e përdorimit të pajisjeve dhe teknologjisë moderne në bujqësi ka pasur një impakt në forcën punëtore, si një efekt anësor.
Edhe pse bujqësia përbën më pak se 20% të GDP së vendit, ajo përfshin më shumë se 40% të të gjithë punësuarve në vend, duke luajtur një rol tejet të rëndësishmë në ekonominë shqiptare, ku një luhatje e lehtë e nivelit të punësimit shihet gjithnjë me shqetësim.
http://agroweb.org/?id=10&l=555&ln=sq&url=luhatjet-e-punesimit-ne-bujqesi
Add new comment