Qeveria ndryshim absurd në Kodin e Punës: Edhe po fitove gjyqin nuk rikthehesh më në detyrë
Edhe po fitove gjyqin nuk rikthehesh më në detyrë. Kjo është gjithë thelbi i ndryshimit nw Kodin e Ri të punës. Punonjësit e administratës publike që nuk gëzojnë statusin e nëpunësit civil, në rast se do të hiqen padrejtësisht nga puna dhe gjykata do t’u jap të drejtë, do të mund të fitojnë vetëm 1 vit pagë, por jo rikthimin në vendin e punës. Por në administratën publike janë një sërë funksionesh që quhen “punonjës të shërbimit”, si mësuesit, infermierët, policët, ushtarakët dhe sanitarët që preken, nëse kjo mbrojtje ligjore do të hiqet. “Panorama” shkruan sot se ky është ndryshimi që Qeveria i ka bërë Kodit të Punës, duke hequr dispozitën që u jepte të drejtë punonjësve të larguar pa arsye të ligjshme, të riktheheshin në pozicionin e mëparshëm të punës. Në projektligjin që po diskutohet në Parlament, neni 146 i Kodit të Punës është ndryshuar në ligjin e ri, dhe paragrafi specifik që mbron punonjësit e administratës pa status, është hequr në përkufizimin i rikthimit në punë.
“Neni 146 pika 3., Zgjidhja e kontratës, pa shkaqe të arsyeshme nga punëdhënësi, është e pavlefshme. Punëmarrësi ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblimin deri në një vit pagë, që i shtohet pagës që ai duhet të marrë gjatë afatit të njoftimit”, thuhet në projektligjin e ri të Kodit të Punës.
Por, sipas "Panoramës", pjesa që është hequr dhe që është zbuluar nga kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu, thekson se: “Për punëmarrësit në administratën publike, kur ka një vendim gjykate të formës së prerë për kthimin në vendin e mëparshëm të punës, punëdhënësi është i detyruar ta zbatojë këtë vendim”. Ndërsa Zv.ministrja e Punës dhe Çështjeve Socialiste, Genta Sulaj, tha gjatë mbledhjes së Komisionit të Integrimit se do ta rishikonte këtë nen, pasi nuk e kishte parë mirë”.
Add new comment