Reportazh/ Kur shtegtojnë krillat
Nuk po flas për romanin e Dostojevskit, por për shtegtimin e shpendëve që quhen “krilla” dhe që në vjeshtë dhe në pranverë vizitojnë lagunat tona bregdetare.
Tani në vjeshtë lagunat tona mbushen me shpendë migratorë, duke filluar që nga derdhja e Bunës deri në lagunën e Nartës në Vlorë. Por më e populluar dhe më e veçantë është Laguna e Divjakë-Karavastasë. Këtu është streha e specieve më të rralla në Ballkan dhe më e mbrojtura gjatë stinës së dimrit. Krillat, flamingot, çafka të ndryshme, rosa, pata e plot specie të veçanta strehohen gjatë të ftohtit evropian në këtë lagunë.
Po të udhëtosh e të bisedosh me biologun Taulant Bino, ai të flet me pasion për natyrën dhe shpendët në përgjithësi, por në veçanti për ata migratorë. Unë isha këtë fundjavë në lagunën e Divjakës dhe fola me Taulantin pikërisht për këta shpendë, që tashmë me afrimin e stinës së ftohtë kanë mbushur kënetat dhe strugat e këtij bregdeti. Ai foli për shumë specie, për rikthimin e tyre në abitatin e mëparshëm, pra në këtë zonë, pas ndalimit për 2 vjet të gjuetisë pa kriter që solli shtimin e tyre në një numër të konsiderueshëm.
Ne folëm edhe për krillat që vijnë e dimërojnë në këtë lagunë.
“Krillave në këtë zonë u thonë edhe gjel deti i egër. Janë shpendë që ndalojnë në Shqipëri vetëm për pak kohë, në pranverë dhe në vjeshtë, përkatësisht gjatë shtegtimit të tyre drejt veriut apo jugut. Emri latin është “Grus grus”. Janë gri, dhe ngjajnë më shumë me çafkën e përhime por shumë më të larta në trup, sqep më të shkurtër dhe të fortë si dhe me pupla të fryra në nivelin e bishtit. Ndërsa flamingot që kanë mbushur strugat dhe kënetën në gjuhën vendase thirren “lejleku krahëkuq”, thotë Bino për ATSH-në.
Kjo është edhe arsyeja që Parku Kombëtar i Divjakës është parku më i vizitueshëm në të katër stinët. Këtë e konfirmon edhe Drejtori i Përgjithshëm i AZM-së për Qarkun e Fierit, Ardian Koçi. Ai sjell edhe statistika për numrin e vizitorëve ditorë që futen në park. Dhe arsyeja kryesore është vëzhgimi i shpendëve në banesën e tyre natyrore. Kjo ka shtuar numrin e turistëve vendas e të huaj që futen çdo ditë. Është një numër në rritje që kap një shifër ditore deri në 50 vizitorë vendas dhe të huaj. “Ka ditë që futen edhe me qindra”, thotë Ardiani.
Turizmi i vëzhgimit të natyrës dhe i shpendëve tashmë mund të quhet i konfirmuar në këtë park, thotë Ardian Koçi. Pikërisht këtë fundjavë, pash që kishin ardhur disa mjete transporti me vizitorë nga Kosova dhe po njiheshin me natyrën dhe faunën e zonës.
"ATSH"
Comments
koment
Gafe!?! Dostojeksi nuk ka roman me krilla. "Kur shtegtojne krillat" eshte film e flet per tjeter gje!
Dostojevski nuk ka roman me krilla!
"Kur shtegetojne krillat" eshte nje film i vjeter sovjetik me subjekt nga Lufta e Dyte Boterore. S'ka lidhje me Dostojevskin.
Add new comment