Për Besnik Mustafajn lufta e Bashës është shumë larg përmbushjes së rolit politik që pritet nga opozita

Postuar në 13 Shtator, 2015 09:31

Besnik Mustafaj, ish­ministri i Jashtëm e ish-deputet, gjatë një interviste për gazetën “Panorama” komenton zhvillimet më të fundit në Partinë Demokratike. Lidhur me opozitarizmin e dy vitet e fundit nga kreu i PD­së Lulzim Basha, Mustafaj thotë se ai ka qenë qenë përgjithësisht reaktiv. Sipas tij, Basha dhe ekipi i tij kanë reaguar me mprehtësi dhe kurajë ndaj qeverisjes së keqe të Ramës. “Shqisa e tyre denoncuese ka qenë zgjuar. Kjo gatishmëri reaguese ka sigurisht të mirën e vet. Ajo tërhoqi vëmendjen e opinionit publik te problemet që kalon zhvillimi politik dhe ekonomik i vendit”,­deklaron Mustafaj. Por ai thotë se ky opozitarizëm është shumë larg përmbushjes së rolit politik që pritet nga opozita. Duke u ndalur në zgjedhjet e fundit lokale, Mustafaj thotë se PD është larg për t’u shndërruar në alternativën qeverisëse për shoqërinë shqiptare. “Dy vjet nuk janë pak për të parë të paktën lindjen e një prirjeje të re në besueshmërinë e opinionit publik. Ndërsa besueshmëria e shqiptarëve vetëm ishte përkeqësuar. Kanë qenë, megjithatë, dy vjet të mbushura me zullume dhe gafa të mëdha nga ana e qeverisë. Që do të thotë se ka një akumulim në rritje të pakënaqësisë”,­ deklaron Mustafaj,

Duke folur më tej për opozitën që bën Lulzim Basha, ai thotë se duhen ofruar edhe alternativa konkrete dhe jo vetëm të sulmohet qeveria. “Le të përmendim vetëm një shembull: Gjergj Bojaxhi, pa bërë fare fushatë nëpër sheshe dhe rrugë, pa qenë i pranishëm vizualisht në dekorin e qytetit dhe as me debatet e mëdha televizive, mori 16 mijë vota vetëm brenda qytetit të Tiranës. Kjo do të thotë se qartazi njerëzit po kërkojnë një alternativë. Por alternativa nuk ndërtohet vetëm me denoncime. Alternativa, sidomos nga një parti e madhe si PD, ndërtohet me propozime. Kjo është politikëbërja, të cilën Basha duket se nuk e ka kuptuar. Ose nuk di ta bëjë. Në këtë periudhë dhe më pak se dy vjet që kemi përpara deri në zgjedhjet e ardhshme, Basha duhet t’u tregojë shqiptarëve pse duhet t’i besojnë më shumë atij se Edi Ramës”, thotë Mustafaj për “Panorama”.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.