Kur detajet flasin më shumë se shifrat
Ndërsa aksioni kundër informalitetit është në vazhdim e sipër, drejtoresha e Tatimeve Briselda Shehaj ka bërë të ditur shifrat e para që duken inkurajuese. Sipas Shehaj, në këto ditë të para të aksionit kundër informalitetit janë 1 440 subjekte të gjobitura mes të cilave 590 janë konfiskuar.
“Për shkaqe si mungesë kase, nuk lëshon faturë, mallra pa faturë, ndonjë punonjës i paregjistruar kemi deri më tani 1440 subjekte të gjobitura. Ndërsa nga ata të paregjistruar kemi 186, 590 gjithsej kanë pësuar konfiskim malli” deklaroi Shehaj.
Por, sipas drejtoreshës, synimi nuk është gjobitja, por mbledhja e tatimeve me qëllim matjen e fitimit për cdo biznes në mënyrë që të përcaktohen më pas taksat për secilin.
“Ne nuk duam të vëmë gjoba, ne thjesht duam të mbledhim tatimet. Këto ditë, nga kasat, mbyllja e xhiros ditore, kemi vërejtur një 50 % rritje të numrit të kuponave dhe rritje të xhiros, 66 milionë dollarë është xhirua e fitimit këto ditë, kjo është një shifër e mirë dhe në bazë të kësaj do shohim xhiron ditore dhe më pas përcaktimin e tatimeve për çdo biznes”, tha Shehaj.
Përtej shifrave një detaj domethënës për aksionin e qeverisë është ajo që pohoi Shehaj se administrata tatimore në shumë qytete është pritur me këmbët e para, ku madje në Dibër tatimorët janë ndjekur me sëpata nga tregëtarët. Kjo mjafton për të kuptuar se si e shohin shtetin dhe aksionet e tij biznesi që qeveria e ka shpallur partner të tij.
Add new comment