Guxholli: Mungesa e të ardhurave, rezultat i politikave të gabuara të qeverisë
“Mosrealizimi i të ardhurave nga administrata fiskale për periudhën 8 mujore është rezultat i politikave të gabuara të qeverisë, si dhe rritjes së evazionit dhe kontrabandës”. Ky është dhe thelbi i asaj që shprehën Suzana Guxholli dhe Dorian Teliti. Gjatë prononcimeve për “Tv Scan”, dy ekspertet thanë se rritja e taksave dhe represioni ndaj biznesit, ishin dhe modeli ekonomik që po çon në negativë të gjithë treguesit ekonomikë të vendit dhe jo vetëm ata fiskalë. Lidhur me ndryshimet në buxhetin e shtetit, me anë të aktit normative, ekspertët vlerësojnë se rishikimi i ulët i rritjes ekonomike, nuk mund të justifikojë uljen e madhe të buxhetit. Të ardhurat në buxhetin e shtetit nga administrata fiskale vazhdojnë të jenë nën pritshmëritë e fillimvitit duke shënuar një mosrealizim prej 15.6 miliardë lekë më pak në fund të muajit të tetë, ndërsa vetëm për muajin Gusht mungesa është 4.4 miliardë lekë. Sipas statistikave paraprake nga Ministria e Financave, të ardhurat për periudhën JanarGusht janë realizuar në masën 248.1 miliardë lekë, totali i shpenzimeve arriti në 263.2 miliardë lekë, ndërsa defiçiti buxhetor llogaritet të jetë 15.2 miliardë lekë.
Add new comment