Dekriminalizimi/ Një analizë gjuhësore dhe “nastradinët” e vendimmarrjes

Postuar në 09 Shtator, 2015 21:17
Ilir Sinanaj

Shqipëria është vendi i çudirave tragji-komike të ligjvënësve të saj kundrejt popullit të vet. Kushedi se çfarë kryeveprash akoma më të mëdha do të kishin nxjerrë shkrimtarët si Honoré de Balzac dhe Geroge Orwell, nëse në një rast hipotetik do të ishin transportuar nga koha e tyre, kur jetuan, në Shqipërinë tonë aktuale.

Kauza

Një nga çështjet më të mediatizuara të momentit është nisma e opozitës për “dekriminalizim” në Kuvendin e Shqipërisë. Pra kjo do të thotë, me sa kuptohet nga ajo që po thonë publikisht ligjvënësit tanë, se nuk do të ketë kandidatë për deputetë, kryetarë bashkie madje edhe në poste të larta të administratës publike me precedent apo ndjeke penale. Kjo është një diçka më se e pranueshme dhe opozita bën shumë mirë të lobojë për një gjë të tillë dhe shpresoj të ketë konsesus të të gjitha forcave politike në miratimin e një ligji në lidhje me atë që përshkruhet (sa më sipër) si “dekriminalizim”. Por...

Gjuhësia

Nëse analizojmë fjalën “dekriminalizim”: kemi prashtesën “de-” që ka origjinë latine dhe në shumë gjuhë, përfshirë gjuhën angleze, merr kuptimin e diçkaje që hiqet apo tërhiqet etj.; dhe fjalën krim, që do të thotë një vepër penale për të cilën ndëshohesh. Në një hulumtim në internet (www.collinsdictionary.com), si në anglishten e përdorur në Mbretërinë e Bashkuar ashtu edhe në anglishten e përdorur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kërkova shpjegimin e fjalës “decriminalization”. Më dolën këto shpjegime:

Në anglishten e përdorur në Mbretërinë e Bashkuar: decriminalize ose decriminalise (folje) – to remove (an action) from the legal category of criminal offence (të heqësh apo nxjerrësh (një veprim) jashtë kategorisë së veprave apo kudravajtjeve penale); – dhe jepet shembulli: to decriminalize the possession of marijuana (të dekriminalizosh mbajtjen (posedimin) e marijuanës).
decriminalization ose decriminalisation (emër)

Në anglishten e përdorur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës: decriminalize (folje) – to eliminate or reduce the legal penalties for (a specified crime) (të heqësh apo të zvogëlosh ndëshkimet ligjore për (një krim të caktuar)).

Ndërkaq nëse shkruajmë në “Google Translate” fjalën “decriminalize” duke zgjedhur të përkthejmë nga anglishtja në shqip, e përkthyer del fjala “dekriminalizojnë”. Ndërkohë “Google Translate jep edhe shpjegimin në anglisht të kësaj fjalë, të ndjekur me një shembull përdorimi: cease by legislation to treat (something) as illegal – a battle to decriminalize drugs (ndërprjerje ose dhënie fund nga legjislacioni për të trajtuar (diçka) si të jashtëligjshme – një betejë për të dekriminalizuar drogat).

Pra nuk nevojitet të jesh shkencëtar për të kuptuar se, nëse do t'i refrohemi kuptimit të gjuhës angleze të fjalës së shqipëruar barbarisht “dekriminalizim”, atëherë del se kjo fjalë përdoret krejt gabim dhe në fakt kupton të kundërtën e asaj që synohet të arrihet me procesin që emërtohet si “dekriminalizim”. Duke iu përmbajtur kuptimit ëshë e gabuar të thuhet dekriminalizim i Kuvendit, i administratës apo i çfarëdolloj institucioni, sespe nga ana gjuhësore kjo fjalë përdoret (siç u tha më sipër) vetëm në lidhje të veprave të jashtëligjshme apo penale. Pra të thuash dekrimanilzimi i Kuvendit, nuk ke thënë asgjë, e sidomos me të huajt; e thënë kjo, del qesharak. Po nëse do ta shtrembëronim kuptimin në maksimum (edhe pse kjo nuk është e mundur), dekriminalizim i Kuvendit, do të kishte kuptimin, në një rast hipotetik gjuhësor, e ligjërimit (pra legalizimit) të veprimtarisë së paligjshme të këtij institucioni!!! Është tërësisht jo logjike.

Problemi i vërtetë

Kjo analizë gjuhësorë e fjalës "dekriminalizim", e cila ngall pikëpyetje tek anglishtfolësit shqiptarë nxjerr në pah çështjen e vërtetë të "nënës" së çdo problemi në vend: injorancë dhe papërgjegjshmëri në punë. Si ka mundësi, nga të gjithë këta ligjvënësit tanë, të cilët janë shkolluar në institucionet më prestigijoze të botës, të mbështetur gjithashtu nga zyrtarë të mbruajtur me kulturë gjuhësore dhe akademike anglo-saksone, ashtu edhe ekspertizë të individëve të njohur të vendeve anglo-saksone, për një çështje kaq kritike siç është krimi që ka kapur vendimmarrjen politike, të punojnë me kaq papërgjegjshmëri gjuhësore dhe konceptuale?! Kjo tregon përse reformat në Shqipëri dështojnë dhe nuk zbatohen. Sepse bëhen pa vëmendjen dhe studimin e duhur!!! Prandaj çështja e vërtetë për të cilën duhen marrë masa urgjentisht është injoranca që ka pushtuar Kuvendin e Shqipërisë dhe çdo intitucion tjetër. Injoranca apo padija është shkaktuesi më i madh i viktimave në botë dhe rrënuesja e kombeve. Është pikërisht vendimmarrja e injorantëve, e mbështetur nga apatia e intelektualëve, që ka shkaktuar një "Auschwitz shoqëror" në vendin tonë, ku janë "internuar" të gjithë ata njerëz me dëshirë dhe vullnet për të punuar, të gjithë ata të rinj e të reja punëtorë, e me ide, të gjithë ata sipërmarrës të ndershëm me energji, të cilët nuk i druhen konkurrencës së ndershme.

Kështu më shumë se i ashtuquajtur "dekriminalizim" duhet pastruar vendimmarrja politike nga injoranca, ashtu si edhe çdo hallkë e administratës publike. Madje për të pasur një mandat deputeti, të gjithë duhet t'i nënshtrohen një testimi ku maten aftësitë bazë në matematikë, gjuhësi dhe analizë themelore të gjërave të përditshmërisë. Të dinë edhe bazat e përdorimit të internetit dhe paketës "Microsoft Office". Në matematikë deputetët duhet të testohen (pa përdorur makinë llogaritëse) mbi teormën e Pitagorës; mbledhjen, zbritjen, shumëzimin dhe pjesëtimin e thyesave; dhe llogaritjet me përqindje (ndoshta përvoja me zgjedhje dhe me tendera e bën këtë të fundit pikë të fortë). Në gjuhësi duhet të kalojnë provimin e klasës së 9-të me notën minimale 7 dhe të bëjnë një hartim, të paktën 4 faqe fletoreje shkollash 9-vjeçare, duke e shkruar me dorë dhe me një minimum të lejueshëm prej 10 gabimesh drejtshkrimore. Nga ky testim, në bazë të rezultateve, të vendosej me tej për heqjen e mandatit të deputetit. Në kapitalizëm nuk konceptohet të kesh "nastradinë" në vendimmarrje...

Comments

Submitted by Denis (not verified) on

Dua te mesoj analizen gjuhesore

Submitted by I Vemendshmi (not verified) on

Duke qene absolutisht i nje mendje me autorin, kam vetem frike se edhe Kryeministri i vendit nuk di te beje veprime me thyesa, madje jam i sigurte qe nuk di te pjestoje 3/4 me 5/7.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.