Qeveria zyrtarizon: Të ardhurat ranë, për shkak të rritjes së prodhimit vendas. Pse nisi me urgjencë aksioni kundër informalitetit dhe evazionit?
Pati shumë zhurmë këtë verë për mosrealizimin në të ardhura. Mendimi i përgjithshëm që u krijua ishte se kjo rënie erdhi si pasojë e dështimit të administratës, çka edhe solli aksionin kundër evazionit dhe informalitetit. Por pas deklaratave të kryeministrit, edhe ministri i Funancave, Shkëlqim Cani, po e gjen shumë të lehtë që t’ia hedhë fajin importit, prodhimit vendas, apo ndryshimit të modelit. “2,3 miliardë lekë nga këto 15,5 mld lekë mungojnë për shkak të uljes së çmimit të naftës dhe atij të mineraleve në tregjet ndërkombëtare. 1,3 mld lekë mungojnë për shkak të uljes së importit të energjisë elektrike; 1,2 mld lekë mungojnë për shkak të uljes së normës së interesit. Në qoftë se do t’i mblidhnim të gjitha argumentet që parashtrova, të ardhurat e munguara janë 15,5 mld lekë dhe të argumentuara jashtë mundësive e kapacitetit të menaxhimit të Qeverisë janë mbi 15,5 mld lekë”, u shpreh ministri Cani gjatë diskutimit të Aktit Normativ të qeverisë në Komisionin e Ekonomisë. Argumentet e tij janë kundërshtuar nga ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, sipas të cilit qeveria po i shmanget të vërtetës. “Qeveria nuk e sheh të vërtetën në sy, nuk sulmon thelbin e çështjes së problemit, që është platforma e rritjes progresive të taksave, akti normativ i së cilës dëshmon funeralin e asaj që u pohua si zgjidhje e madhe për ekonominë e vendit, por reket të gjejë justifikime shpesh herë qesharake, siç dëgjuam edhe sot këtu”, tha Bode.
Të gjendur në vështirësi serioze për këtë çështje, socialistët po mendojnë të luajnë sërish me kartën e diskreditimit të kritikave duke marrë për bazë realizimet e viteve të shkuara. Erjon Braçe renditi disa të tilla: “Në vitin 2009, minus 35,8 miliardë lekë. Në vitin 2010, minus 36,3 mld lekë të munguara në të ardhura. Në vitin 2011, minus 31,7 mld lekë në të ardhura. Për të vazhduar në vitin 2012 me minus 25,4 mld lekë dhe përgjatë 9 muajve të vitit 2013 kemi përsëri minus 23,4 mld lekë në të ardhura. Që do të thotë se, në total vetëm për këto vite mungojnë në të ardhurat e buxhetit të shtetit plot 152,6 mld lekë”, tha ai. Edhe sikur të jetë kështu, çfarë vlere sjell një argument i tillë për mosrealizimin e të ardhurave këtë vit? Qeveria flet për ndryshim të modelit ekonomik, por kjo ka shumë gjasë të jetë një gjethe fiku, pasi mjafton të pyesim: pse nisi me urgjencë aksioni kundër informalitetit dhe evazionit, sapo u zyrtarizuan shifrat e ulëta në tatime e dogana?
Add new comment