“Lideri lokal” Vuçiç, i ftuar i Merkel në Berlin dhe i Biden në Washington

Postuar në 07 Shtator, 2015 03:30

Ndoshta është herët për ta thënë, por duket tashmë se diçka thelbësore po ndodh në marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Serbisë. Disa shenja të karakterit politik dëshmojnë se jo vetëm Serbia ka dalë nga izolimi i dikurshëm, por ajo po shihet si faktor i besueshëm në rajonin e Ballkanit. Siç mund të imagjinohet lehtë, trajtimi diplomatik i çështjes së Kosovës, është një prej arsyeve që Beogradi zyrtar po sheh tani dyer të hapura. Konkretisht, agjencia serbe e lajmeve, “Tanjug”, njoftonte dje se kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, është ftuar për një vizitë në Berlin nga këshilltari i kancelares Angela Merkel. Ai do të takojë Merkelin si dhe do të mbajë një fjalë në Komitetin për Çështjet e BE-së në Bundestag. Axhenda vazhdon me pjesëmarrjen në Europa Forum, që organizohet nga Fondacioni Kontad Adenauer, ku Vuçiç do të mbajë një fjalë me temë: “Serbia në Europë. Ftesa e Merkel është jo pa rëndësi, po të kemi parasysh se ka qenë Gjermania ajo që jo vetëm ka këmbëngulur për marrëveshjen me Kosovën, por edhe e ka monitoruar hap pas hapi atë. Në një plan krahasues, vizita e kryeministrit serb, lë përshtypjen se Serbia po rimerr të tjera vlera edhe në kontekstin e Konferencës së Berlinit, ku projekti i saj për autostradën e Nishit është prioritar.

Në Shqipëri u bë shumë propagandë nga qeveria dhe sejmenët e kryeministrit në media, që ta shisnin vitin që shkoi si vitin e “liderit të Ballkanit”, apo ta nxirnin kryeministrin e Shqipërisë si të preferuarin e Berlinit në Ballkan. Por dështimi me reformat, deklaratat nacionaliste si dhe korrupsioni me kriminalizimin e politikës e kanë bërë të vetën. Kjo u vu re edhe në Samitin e Vjenës. Shqipëria nuk arriti dot të fitojë rëndësinë që kërkon të shesë qeveria, ndonëse i ka kushtet, siç janë, dinamika e botës shqiptare në zona si Maqedonia, apo Kosova. Por përtej fjalëve kërkohet diçka më shumë. Ironia e Vuçiçit në Vjenë se “Rama është lider botëror”, sikurse ironia tjetër, ajo e ambasadorit gjerman në Tiranë, Hoffmann, i cili duke iu përgjigjur tërthorazi “tezës” së kryeministrit shqiptar, se “Europa nuk është strategjike”, këshilloi që “lërini filozofimet e bëhuni shtet serioz”, flasin njëfarësoj se shumëkush është lodhur nga këto shfaqje të Tiranës zyrtare, e cila ka probleme ekzistenciale pasi po flitet për një vend që nuk është normal.
Se cila është pesha e kryeministrit/ave tonë, këtë e dëshmon tërthorazi edhe vizita tjetër e Vuçiç, në ShBA, ku do të takohet me zv. Presidentin, Joe Biden dhe sekretarin e Shtetit, John Kerry. Do pak punë të kujtojmë e të gjejjmë se kur një zyrtar shqiptar ka bërë një vizitë të nivelit të tillë në ShBA – flasim vizitë në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe. Diçka po lëviz pra në lëmin diplomatik.
Është thënë shpesh në Shqipëri se ne Serbinë duhet ta kemi frikë kur ajo të heqë dorë nga pasionet nacionaliste. Pasi si shtet ka dëshmuar se është shumë më serioz dhe se di të ndërtojë objektiva. Kjo po verifikohet, por për nxënës mbetës siç janë politikanët shqiptarë, këshilla e Hoffmann nuk vlen. Le të urojmë vetëm se të paktën ndonjë studio kinematografike do të ketë bujarinë të vijë e të xhirojë ndonjë skenë filmi në këtë vendin tonë: do ishte me vlerë për turizmim, por edhe do përjetësonte politikën e vërtetë, safi shqiptare si ajo e Luginës së Patokut. Kjo nuk është “Provokacija”.
http://www.tanjug.rs/full-view_en.aspx?izb=197563
http://www.b92.net/eng/news/politics.php?yyyy=2015&mm=09&dd=04&nav_id=95332

Comments

Submitted by Qytetari (not verified) on

Ju lumte mo vlla,jane serioze e dine te punojne per veten,me te tille ben "biznes",EU,e USA,jo me capacule,hajdute e karagjoze sic jemi ne!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.